Kiev, 4 korrrik 2023 – Autoritetet ukrainase njoftuan se kundërofensiva e tyre ndaj trupave ruse ka qenë “kryesisht e frytshme” gjatë ditëve të fundit dhe se trupat e Ukrainës, po përmbushin detyrat e tyre kryesore.
Komentet u bënë nga Oleksiy Danilov, Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës. Ky është vlerësimi më i fundit pozitiv i Kievit për kundërsulmin e nisur një muaj më parë. Nga ana tjetër, Moska thotë se Kievi nuk ka shënuar asnjë përparim.
“Në këtë fazë, Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës po përmbushin detyrën numër një, shkatërrimin maksimal të trupave ruse, pajisjeve, depove të karburantit, automjeteve ushtarake, postblloqeve komanduese, artilerisë dhe forcave të mbrojtjes ajrore të Rusisë”, shkruante në një postim në Twitter Oleksiy Danilov. “Ditët e fundit kanë qenë veçanërisht të frytshme”, tha ai, pa dhënë asnjë detaj nga fusha e betejës.
Rusia, e cila sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, ruan ende kontrollin në disa pjesë të territorit në këtij vendi, në pjesën lindore dhe jugore të tij. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të hënën se trupat e tij kishin bërë përparim pas një jave “të vështirë”.
Valeriy Shershen, zëdhënës i komandës ushtarake Tavria, tha se trupat ukrainase kishin përparuar deri në dy kilometra në drejtimin të Berdianskut, në Ukrainën jugore, pavarësisht rezistencës së ashpër ruse.
Të hënën, zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar tha se luftimet ishin zgjeruar rreth qytetit lindor të Bakhmut, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse prej muajit maj. Ajo tha se ushtria ukrainase kishte rimarrë 37.4 kilometra katrorë territor, pas luftimesh të ashpra të zhvilluara javën e kaluar.
Agjencia ‘Reuters’ nuk ka qenë në gjendje të verifikojë situatën në fushën e betejës, ku secila palë thotë se tjetra, po pëson humbje të mëdha.
Rusia tha të martën se Ukraina kishte sulmuar Moskën me të paktën pesë dronë dhe se që të gjithë ishin asgjesuar, megjithëse një prej aeroporteve kryesore të kryeqytetit, i ishte dashur të ndryshonte drejtimin e fluturimeve për disa orë.
Ndërkohë zyrtarët ukrainas njoftuan se si pasojë e sulmeve ruse të martën në mëngjes, në qytetin jugor të Ukrainës, në Kherson ishin vrarë dy persona.
(Zëri i Amerikës)