Kiev, 8 maj 2022 – Autoritetet ukrainase janë përgatitur për intensifikim të sulmeve të forcave ruse ndaj fabrikës së çelikut “Azovstal” në Mariupol, para festimit të “Ditës së Fitores”, më 9 maj, në Rusi.
Zyrtarët ukrainas deklaruan se të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë evakuuar nga fabrika, e cila është sulmuar pandërprerje prej disa javësh.
“Urdhri i Presidentit është zbatuar. Të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë evakuuar nga Azovstal”, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk, në një deklaratë të publikuar në mediat sociale.
“Kjo pjesë e misionit humanitar në Mariupol ka përfunduar,” shtoi ajo, pa dhënë detaje.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha më vonë se tani do të fillojë një “fazë e dytë” e evakuimit të të plagosurve dhe personelit mjekësor.
Fati i luftëtarëve të mbetur në fabrikën e rrethuar nga forcat ruse mbetet i paqartë. Për të dielën, më 8 maj, ishte paralajmëruar vazhdimi i përpjekjeve për sigurimin e korridoreve humanitare, në mënyrë që të krijohen rrugëdalje nga fabrika për luftëtarët që dëshirojnë të largohen.
Zelenskiy tha se Kievi po përpiqet t’i nxjerrë nga fabrika luftëtarët e fundit, por pranoi se kjo është punë “jashtëzakonisht e vështirë”.
Në Ukrainë po rritet frika se mund të nisë një përballje përfundimtare, e përgjakshme, midis luftëtarëve ukrainas dhe trupave ruse, në qoftë se mbrojtësit ukrainas nuk lejohen të evakuohen.
Evakuimi nga fabrika e çelikut “Azovstal” u intensifikua gjatë dy ditëve të fundit. Rusia ka vazhduar të godasë pa ndërprerje, me granata e raketa, fabrikën dhe Mariupolin, këtë qytetit port me rëndësi strategjike, i cili tashmë është pothuajse plotësisht i rrënuar.
(r.m.)