Kiev, 8 mars 2022 – Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka raportuar se një komandant i lartë i ushtrisë ruse është vrarë të hënën në qytetin Harkiv, në Ukrainën lindore.
Sipas njoftimit, gjeneral-majori Vitaly Gerasimov, zëvendës-komandant i parë i armatës së 41-të ruse, është vrarë së bashku me oficerë të tjerë rusë.
Në njoftim nuk jepen detaje lidhur me vrasjen.
Rusia nuk e ka mohuar as nuk e ka komentuar njoftimin e ministrisë ukrainase të Mbrojtjes.
Vitaly Gerasimov kishte marrë pjesë në operacionet ushtarake ruse në Siri dhe në Çeçeni. Ai ka marrë pjesë edhe në operacionin e pushtimit të Krimesë, në lindje të Ukrainës, në vitin 2014 dhe ishte dekoruar për suksesin e operacionit..
Nëse është lajmi për vrasjen e tij është i saktë, Gerasimov bëhet oficeri i dytë rus i këtij rangu që vritet në Ukrainë. Disa ditë më pare ishte raportuar se në Ukrainë është vrarë edhe gjenerali Andrei Sukhovetsky.
Autoritetet ruse nuk kanë publikuar shumë të dhënat për ushtarët e vrarë e të plagosur dhe as për humbjet materiale në Ukrainë prej fillimit të operacioneve ushtarake, më 24 shkurt.
Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes ka konfirmuar se “ka të vdekur dhe të plagosur”, por nuk ka dhënë shifra.
Më 2 mars, agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti ka publikuar njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes sipas tëcilit gjatë operacioneve ushtarake në Ukrainë janë vrarë 498 ushtarë rusë dhe janë olagosur 1,597 të tjerë.
Por, autoritetet ukrainase kanë thënë se deri më tash janë vrarë më shumë se 11,000 ushtarë rusë.
(r.m.)