Ukraina thotë se ka çliruar 130 kilometra katrorë, prej nisjes së kundërofensivës

Kiev, 26 qershor 2023 – Forcat ukrainase e kanë rikthyer kontrollin e 130 kilometrave katrorë në jug, prej nisjes së kundërofensivës, ka thënë zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar më 26 qershor.

Ajo ka thënë përmes kanalit të saj në Telegram se ushtria ukrainase vazhdon të avancojë në Melitopol dhe Berdjansk, që gjenden në rajonin Zaporizhja, pavarësisht rezistencës së ashpër ruse dhe humbjeve “të konsiderueshme” në njerëz dhe pajisje.

Sipas saj, përgjatë vikendit, zona e territoreve të çliruara është rritur për 17 kilometra katrorë.

“Në total, prej nisjes së kundërofensivës, zona e çliruar në jug shkon në 130 kilometra katrorë”, ka thënë ajo.

Ndaras, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ka thënë në raportin e saj ditor më 26 qershor se, forcat ukrainase kanë zmbrapsur me sukses sulmet ruse në rajonet e Donjeckut, dhe i kanë zmbrapsur 36 sulme në Liman, Bahmut, Avdivka, Marinaka dhe zona tjera përreth.

Më 25 qershor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka diskutuar për kundërofensivën me presidentin amerikan, Joe Biden, duke thënë se palët i kanë koordinuar “pozicionet e tyre” para samitit të NATO-s që mbahet më 11-12 korrik në Lituani.

(REL)