Kiev, 16 shtator 2024 – Forcat ajrore të Ukrainës thanë se kanë rrëzuar 53 nga 56 dronët rusë, natën mes 15 dhe 16 shtatorit, duke shtuar se “shënjestër kryesore” e tyre ishte kryeqyteti Kiev.
Kreu i administratës ushtarake rajonale të Kievit, Ruslan Kravchenko, tha se një grua është shtruar në spital, pasi është plagosur nga copat e një droni të rrëzuar.
Shefi i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Popko, tha se Kievi ishte nën sulm për më shumë se tri orë gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore “i rrëzoi pothuajse të gjithë dronët e armikut”.
Radio Evropa e Lirë, megjithatë, nuk mund t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë për zhvillimet në fushëbetejë.
Rusia ka bombarduar Ukrainën me dronë dhe lloje të ndryshme raketash gjatë kohës më të madhe të pushtimit, që ka nisur qysh në shkurt të vitit 2022.
Shumë nga sulmet e fundit kanë goditur infrastrukturën e energjisë, por bomba shpesh kanë rënë edhe në spitale, shkolla dhe ndërtesa banimi.
Moska, në anën tjetër, këmbëngul se nuk i sulmon zonat e civilëve.
Instituti për Studime të Luftës, me bazë në SHBA, tha më 15 shtator se Rusia “po përpiqet të arrijë një fitore vendimtare në Ukrainë deri në vitin 2026 – përpara se kufizimet e mundshme ekonomike të fillojnë t’i degradojnë ndjeshëm kapacitetet e Rusisë” për të luftuar në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i tha CNN-it se do t’i paraqesë presidentit amerikan, Joe Biden, një plan me katër pika për fitimin e luftës, kur të takohet me të gjatë këtij muaji.
(Radio Evropa e Lirë)