“Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve”, u bptua nga shoqata “Dom Gjon Buzuku”, Ulqin 2013
Për Krajën si krahinë të veçantë etnografike nuk ka munguar interesimi i autorëve të ndryshëm për të shkruar artikuj apo studime nga fahu i tyre profesional. Por, është dëshmi e pa diskutueshme se autorët e huaj jo rrallë herë çështjet e trajtuara iu kanë qasur me subjektivizëm, duke ofruar të dhëna jo objektive dhe falsifikuar realitetin e këtij mjedisi. Dhe një qasje e tillë vazhdoj deri në vitin 1990, kohë kur ndryshuan rrethanat shoqërore me paraqitjen e pluralizmit. Vetëm pas këtij viti me studime dhe artikuj filluan të paraqiten edhe studiuesit shqiptarë, duke dhënë një ndihmesë në hulumtimin e çështjeve të trashigimisë sonë kulturore dhe historike, për ketë mjedis.
Në vazhdën e këtyre hulumtimeve është edhe botimi i librit “Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve” botuar nga Shoqata “Dom Gjon Buzuku”. Botimi në fjalë paraqet përmbledhjen e kumtesave nga Konferenca shkencore e cila i zhvilloi punimet në Ulqin, nga data 7-8 tetor të vitit 2011.
Në këtë botim janë paraqitur kumtesat e 29 autorëve nga Mali i Zi, Shqipëria , Kosova dhe Kroacia. Varësisht prej temës së trajtuar në ketë botim paraqitën të dhëna shumëdimensionale, duke marrë përmasat e një enciklopedie shkencore për Krajën, sepse të dhënat e prezantuara kapin një hark kohor prej 25 shekujsh, pra nga antikiteti e deri në ditët tona.
Botimi kumtesave të prezantuara paraqet realizimin final të këtij projekti, ndërsa pjesëmarrja e autoriteteve shkencore dhe kulturore në ketë konferencë dëshmon qasjen profesionale te studiuesve sipas lëmive të ndryshme shkencore. Duke analizuar emrat e pjesëmarrësve si dhe punimet e publikuara del se kemi të bëjmë me avancimin e vlerave të trashegimisë kulturore të këtij mjedisi. Madje nuk e teprojmë nëse themi se Kraja paraqet një thesar të veçantë për hulumtime shumëdimensionale, e sidomos nga fusha e gjuhësisë, folklorit dhe etnologjisë. Ndonse koha e ka bërë të vetën trashegimia kulturore ende ruan vlerat autentike, andaj si e tillë kjo krahinë vazhdimisht ka qenë dhe do të jetë motivuese për hulumtuesit e ndryshëm.
Nëse në të kaluarën ishin të tjeret që kanë hulumtuar dhe publikuar materiale të ndryshme nga kjo krahinë, në rrethana të reja nuk duhet të ketë tema tabu, andaj trajtimi i çështjeve duhet të bazohet ne faktografi dhe pa pagjykime. Krahina etnografike e Krajës si pjesa më perëndimore e hapësirës etnogjeografike shqiptare, bën pjesë në visaret e kombit shqiptarë si në të kaluren por edhe në kohën tonë.
Organizimi i Konferencës shkencore dhe botimi i materialeve të prezantuara nga një subjekt i shoqërisë civile është dëshmi se kur ekziston vullneti tejkalohen të gjitha barierat qofshin ata objektive apo subjektive. Botimi paraqet një kontribut më vlerë në avancimin e vlerave të përgjithshme shkencore e kulturore për ketë krahinë etnografike.
Respekt për stafin organizues por në veçanti duhet cekur dr.Simë Dobrecin i cili ndonëse në moshë ka treguar një angazhim të veçantë që duhet të jetë model edhe për të tjerët. Ai ka merita të jashtëzakonshme në valorizimin e vlerave të përgjithshme kulturore të Krajës në përgjithësi e të Shestanit në veçanti që është dëshmuar vite më radhë në sajë të materialeve të botuara në revistën BUZUKU.
Po ashtu në organizimin e kësaj Konference shkencore kontribut të veçantë kanë dhënë edhe studiuesit nga Qendra e Studimeve Albanologjike nga Tirana, të cilët kanë qendruar disa ditë në terren duke mbledhur e konsultuar materialin përkatës nga fusha e folklorit, etnologjisë, letersisë, gjuhësisë dhe historisë.
Me rastin e prezantimit të këtij botimi është obligim moral të shprehim homazhe dhe respektin tonë edhe për ato persona që sot nuk janë në mesin tonë por ishin të pranishëm në Konferencë si Gëzim Uruçi nga Shkodra dhe Anton Gj.Filipaj i cili ka përkthyer në shqip disa studime, të këtij botimi.
Nuk ka dilemë se në të ardhmen ky botim do të jetë referencë e domosdoshme kur do të trajtohen tema të ndryshme qe në fokus të tyre do të kenë krahinën etnografike të Krajës, por edhe regjionin më gjerë.
(Lexuar më rastin e përurimit të librit organizuar nga Shoqata “Dom Gjon Buzuku” dhe Qendra Kulturore, në Ulqin më 11.6.2013)