Këto ditë derisa në trojet shqiptare po mbahen manifestime të ndryshme për nder të Nënë Terezes, bota po përgaditet për të shënuar 5 shtatorin, ditën ndërkombëtare të bamirësisë të shpallur nga OKB-ja për të sensibilizuar njerëzimin në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve.
Në Mitrovicë po flijohen vlerat më të bukura të jetës, në emër të frikës nga dhuna duke harruar çështë më e vlefshme se ndërtimi i urave që i shërbejnë çdo njeriu paqësor në këtë rruzull tokësor. Mitrovica ka nevojë për një vetëdije dhe veprim solidariteti i cili frikën do ta zëvendësonte me krijimin e vlerave ndërkulturore karshi atyre nacionaliste të cilët po helmojnë çdo përpjekje për harmoni, barazi e paqë të ndërsjellë ndërmjet njerëzve.
Në këtë kohë të antagonizmave, kur një “Urë e Jetës“ po cilësohet nga dikush si nxitje e dhunës, më shumë se kurrë kemi nevojë për ndërtues urash të komunikimit dhe tolerancës ndërmjet kombeve dhe kush më bukur do ta bënte veç Shën Tereza, e cila mban mbi supe ende të gjallë emrin universal të dashurisë së njerëzimit.
Nuk ka gjë më humane se kur kultura e një shteti hap portat e atdheut mes urave për ta njohur fqinjin e kodrës tjetër në shenje respekti ndaj dallimit që ai përfaqëson, për të ndërtuar së bashku paqen, dialogun e mirëkuptimin.
Një Urë e mbyllur, e mbrojtur me tanke, që sot mund ta shohim në medium, është pjellë e marrëzisë, është një mashtrim dhe nxitje e urrejtjes, një gënjeshtër për realitetin që imponohet si një e vërtetë absolute, për ta ndryshuar perceptimin ndaj realitetit dhe të vërtetës.
Të urrehet ai që nuk njihet është e lehtë, por në shekullin 21 të mbyllish Urat të cilat janë më të shenjta se tempujt është blasfemi ndaj jetës njerëzore.
Ura e mbyllur në Mitrovicë nga një dhembje duhet të na bashkojë në ringjallje e paqe të përhershme të të gjitha kombeve, përmes dashurisë së Nënës Tereze, e cila tash e tutje do të duhej ta mbante emrin e shenjtë “Ura e Nënë Terezës“, “Most Majke Tereze“.
Ky propozim paqësor, do të duhej të përkrahej nga shoqëria civile, nga institucionet shtetërore dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si nismë për zgjidhjen fatlume në një ditë të bekuar të shpallur nga OKB-ja, për nder të Nënës Tereze, më 5 shator 2024.