Përkthimi për “Pezakun” është “Passover” në anglisht dhe “Pashka e Hebrejve” në shqip. Kjo është një nga festat më të rëndësishme në kalendarin jahudit dhe shënohet edhe në mbarë komunitetet hebre të Shteteve të Bashkuara.
Me këtë rast ashtu si në disa festa të komuniteteve të tjera, botuesi Vehbi Bajrami dhe gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” uruan miqtë hebrej të shqiptarëve me një reklamë njëfaqëshe në gazetën e njohur njujorkeze “New York Daily News”.
Urimi që nënvizon miqësinë tradicionale e shumëshekullore shqiptaro-hebreje kujton momentet më të hershme të vendosjes së hebrejve në trojet shqiptare. Së pari gati 2,000 vjet më parë pas shkatërrimi të Jeruzalemit nga pushtuesit romakë dhe më vonë pas dëbimit nga Spanja në vitin 1492.
Dy komunitetet shqiptare dhe hebreje kanë lidhje e miqësi të shumta në SHBA. Ndihmë në këtë drejtim ka qenë edhe historia e shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por edhe ndihma që organizatat hebreo-amerikane kanë dhënë gjatë luftës në Kosovë dhe krizës së refugjatëve në vitet 1990.
Botuesi Bajrami përfitoi nga ky rast për të kujtuar edhe vizitën e tij në Izrael në vitin 2009, me ftesë dhe sponsorizim të Komitetit Hebreo-Amerikan (AJC), një nga organizatat më të rëndësishme të këtij komuniteti në SHBA.
Gazeta “Illyria” ka botuar disa urime në gazetën “New York Daily News”, duke falenderuar veç të tjerash Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, për të uruar komunitetin irlandez për festën e Shën Patrikut si dhe ka bashkëpunuar me këtë gazetë që është e katërta në SHBA për nga qarkullimi në botimin e dy suplementeve speciale kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve me rastin e 28 Nëntorit.