Julika Prifti
(Ribotohet me rastin e 65 vjetorit të ditëlindjes)
Në vitet 70 kur isha ende fëmi në Shqipëri ishin mbylur institucionet fetare. Feja quhej “opium për popullin” (as që e dija kuptimin e kësaj fjale) dhe praktikimi i saj ishte ndaluar me ligje të rrepta. Mua dhe disa shoqeve që kishim televizorë në shtëpi na pëlqente të shihnim në stacionet televizive italiane. Në fillim të janarit mezi prisnim të shikonim Befanën ( emri i të ciles vinte nga greqishtja Epifania) që në vizatime ngjante me shtrigat e përrallave. Ishte një plakë e shëmtuar, me hundë të madhe e flokë të pakrehura që i dilnin pa rregull nga shamia e kokës. E veshur keq, me rroba më të shumtën e herës të zeza, ajo fluturonte mbi një bisht fshese të gjatë. Në kurriz kishte një thes të mbushur me embëlsira e lodra të vogla që i linte në çorapet e varura në oxhak për fëmijët që ishin sjellë mirë. Për ata që nuk kishin dëgjuar prindërit e ishin sjellë keq, ajo sillte copa qymyri ose akulli.
Mua më mahniste Befana sepse megjithëse ishte si shtrigë nga paraqitja, ajo kishte zemër të mirë e nuk ishte e rrezikshme. Kështu që edhe unë nuk frikësohesha aq shumë nga shtrigat. Plakat e shëmtuara, që disa i quanin shtriga, unë i shikoja si Befana. Pastaj ishte dhe fakti që ajo fluturonte mbi një fshesë. Dhe meqë të gjitha shtëpitë kishin nga një fshesë, një fluturim si i Befanës ishte tundues dhe i mundshëm. Nuk duhej as aeroplan, as helikopter apo biletë për të shkuar nga një vend në tjetrin, një ëndërr për shumë shqiptarë në atë kohë. Madje fshesa ishte edhe më e lehtë se qilimi fluturues se ajo zinte pak vend e kushtonte pak para. Unë shpesh herë e imagjinoja veten duke fluturuar mbi fshesën magjike.
Pas disa viteve lexova poezinë e Gianni Rodarit “Filastrocca di Capodanno” dhe e mësova përmendësh. Edhe sot e sjell ndër mend me lehtësi ndonëse vitet e fëmijërisë i kam lënë pas prej dekadash. Me kënaqësi e përktheva në shqip për ta mësuar përmendësh lehtë çdo fëmi që dëshiron dhe ndoshta për ta ruajtur në kujtesë përgjithnjë.
Zana e Fillimit të Vitit
Zanë, zanë, dëgjomë mirë
Plotësom’ për gjithë vitin çdo dëshirë.
Dua janar me diell prilli,
korrik të freskët e mars pa shi.
Dua dita të jetë pa natë.
Dua deti të jetë pa dallgë.
Dua taze buka të rrij’
Qiparisi për jetën të mbij’
Dua të jenë miq qentë e macet
qumësht të rrjedhë nga shatërvanet.
Nëse kërkoj shumë, mos më jep asgjë
Veç një fytyre të qeshur ta kem përgjithnjë.
Filastrocca di Capodanno di Gianni Rodari
Filastrocca di Capodanno:
fammi gli auguri per tutto l’anno:
voglio un gennaio col sole d’aprile,
un luglio fresco, un marzo gentile;
voglio un giorno senza sera,
voglio un mare senza bufera;
voglio un pane sempre fresco,
sul cipresso il fiore del pesco;
che siano amici il gatto e il cane,
che diano latte le fontane.
Se voglio troppo, non darmi niente,
dammi una faccia allegra solamente