Ursula Von der Leyen e anuloi takimin me kryeministrin serb, pasi ai e takoi ministrin rus

Bruksel, 25 tetor 2024 – Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e ka anuluar një takim të paraparë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, të premten në Beograd, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.

Arsyeja e anulimit, sipas zëdhënësit, ishte një takim që Vuçeviq e mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

Më herët të premten, shefja e KE-së u takua me presidentin e Serbisë, me të cilin bisedoi për rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Vuçeviq u takua me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, në kryeqytetin serb të premten, në ditën kur von der Leyen po qëndron në Serbi si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.

Qeveria serbe tha se Vuçeviq dhe Reshetnikov biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.

Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, thuhet se Vuçeviq, duke folur për sanksionet ndaj Rusisë, ka thënë se Serbia “përkundër presioneve të mëdha udhëheq një politikë të lirë dhe të pavarur” dhe se Serbia ka bashkëpunim të mirë si me Rusinë ashtu edhe me Bashkimi Evropian, Kinën dhe vende të tjera.

Sipas njoftimit, Reshetnikov ka thënë se Rusia “e çmon politikën e balancuar” të Serbisë dhe qëndrimin e saj që të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë

Reshetnikov është në mesin e një numri zyrtarësh nga Moska që janë nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

(r.m.)