Tiranë, 23 tetor 2023 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Leyen, më 23 tetor do të qëndrojë në Tiranë, në ndalesën e parë të turneut të saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë vizitës në kryeqytetin e Shqipërisë, ajo është paraparë të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj, dhe me kryeministrin Edi Rama. Zyrtarja e lartë evropiane po ashtu do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.
Takimi me Ramën është paraparë të zhvillohet në orën 15:10 dhe pritet që pas takimit të ketë deklarim për media. Në orën 17:00 do të marr pjesë në hapjen e Kolegjit Evropian.
Ndërkaq, me Begajn do të takohet të enjten në orën 10:00.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Së fundi, BE-ja ka miratuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor që parasheh ndihmë prej 6 miliardë eurosh për shtetet e këtij rajoni.
Javë më parë, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.
Pas Shqipërisë, më 24 tetor Von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.
Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë në Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë.
(Radio Evropa e Lirë)