Shkup, 14 korrik 2022 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shkoi sot në Shkup ku foli në parlamentin e vendit, teksa theksoi para ligjvënësve se duhet ta shfrytëzojnë rastin për çeljen e bisedimeve me BE-në.
“Nëse vendosni ta miratoni propozimin e rishqyrtuar francez, një konferencë politike ndërqeveritare do të mbahet brenda pak ditëve të ardhshme”, tha ajo. Ndërsa zonja von der Leyen mbante fjalimin, një grup i madh protestuesish u mblodh para ndërtesës së parlamentit për ta kundërshtuar kompromisin që do t’i jepte fund mosmarëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes dhe do t’i hapte Maqedonisë së Veriut rrugën e integrimit evropian.
Ndërkohë, parlamenti e hapi debatin mbi propozimin francez pak pas fjalimit të zonjës von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen erdhi në Shkup për t’i dhënë mbështetje atij që tani më njihet si ‘propozimi francez’ e që ka për qëllim arritjen e kompromisit midis Shkupit dhe Sofjes për çeljen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Zonja von der Leyen ka theksuar në takimet me krerët më të lartë shtetërorë në Shkup se gjuha maqedonase nuk preket, teksa këtë e pohoi edhe gjatë një fjalimi para ligjvënësve.
“Nuk ka dyshime se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Dhe ne e respektojmë këtë plotësisht”, tha ajo me çka nxiti duartokitje të gjata nga deputetët e partive të koalicionit qeveritar. Por, opozita maqedonase e priti zonjën von der Leyen në sallën e parlamentit me parulla ku shkruhej “Jo ultimatumit”, “Jo fashizmit”, duke aluduar në reprezaljet bullgare gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidentja e Komisionit Evropian iu tha ligjvënësve në Shkup se duhet ta shfrytëzojnë rastin për çeljen e bisedimeve me BE-në.
“Jemi të bindur se kjo është e një rëndësie historike, por vendimi ju takon vetëm ju. Bëhet fjalë për rrugën që e keni zgjedhur vetë”, tha zonja von der Leyen duke theksuar se proozimi francez i ruan interesat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe i merr parasysh shqetësimet e të gjitha palëve.
Ajo tha më tej se përpjekjet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për luftën kundër korrupsionit janë për t’u përshëndetur, ndërsa tha se ky vend paraqet një model të suksesshëm për shoqërinë shumetnike të dalë nga Marrëveshja e Ohrit.
Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski theksoi nevojën për garanci dhe respektimin e gjuhës dhe identitetit maqedonas nga Bashkimi Evropian.
Propozimi francez parashesh çeljen në dy faza të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut: faza e parë do të niste menjëherë pas miratimit të kompromisit nga ana e parlamentit në Shkup kurse faza e dytë pas njohjes së pakicës bullgare me kushtetutën e vendit.
Qeveria thotë se parlamenti nuk do të votojë ‘për’ apo ‘kundër’ propozimit francez, por për vendimet të cilat e udhëzojnë qeverinë se për çka mund të negociojë dhe për çka jo në bisedimet për anëtarësim.
Megjithatë, propozimi francez ka mjaft paqartësi për publikun e gjerë, ndonëse qeveria e ka bërë publik atë. Propozimi ndërlidhet me protokollin në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilin opozita thotë se nuk e ka parë, por nga ana tjetër akuzon qeverinë për heqjen dorë nga historia, gjuha dhe identiteti kombëtar maqedonas.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)