Tiranë, 23 tetor 2024 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet i saj edhe në mandatin e saj të dytë si shefe e organit ekzekutiv të bllokut, pas një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në Tiranë.
“Zgjerimi është përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm. Ka të bëjë me planin tonë të rritjes për Ballkanin Perëndimor, e diskutuam edhe në Berlin. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor”, tha Von der Leyen në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ramën.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që Von der Leyen po i viziton këtë javë – Shqipëria, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi – kanë me vite të tëra që synojnë t’i bashkohen bllokut.
Shefja e KE-së – e cila mbërriti në Tiranë më herë të mërkurën për ta nisur turneun e saj në rajon – njoftoi se Shqipëria do ta pranojë në muajt në vijim këstin e parë prej 64 milionë eurosh nga Plani i Rritjes i BE-së, nga 920 milionë euro në përgjithësi sa pritet t’i marrë në tri vjetët e ardhshme.
Së fundi, BE-ja e miratoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor që parasheh ndihmë prej 6 miliardë eurosh për shtetet e këtij rajoni.
“Ka një vit prej kur filloi puna dhe shumica e kanë gati agjendën e reformave. Ju dhe ekipi keni bërë në punë të shkëlqyer për agjendën e reformave”, tha ajo drejtuar Ramës.
E pyetur nëse ka ndonjë datë kur Shqipëria do të mundë ta bëhej anëtare e BE-së, Von der Leyen tha se kjo varet nga “puna dhe meritat”.
Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor, plot 10 vjet pasi e kishte marrë statusin e vendit kandidat.
Rama tha se Shqipëria është e “vendosur” për t’i kryer detyrat e saj në rrugën drejt BE-së.
“Jemi shumë të vendosur t’ia dalim. Janë një sërë detyrash, Janë mijëra! Detyra që duhet të përkthehen në ligje, akte nënligjore, por dhe në prova të zbatimit”, tha Rama.
Gjatë vizitës në kryeqytetin e Shqipërisë, shefja e KE-së është paraparë të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj të enjten në mëngjes.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Javë më parë, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.
Pas Shqipërisë, më 24 tetor Von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.
Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë në Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë.
(Radio Evropa e Lirë)