Kiev, 11 qershor 2022 – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të shtunën një vizitë të papritur në Kiev të Ukrainës.
Ajo tha se Komisioni Evropian do ta finalizojë opinionin lidhur me aplikacionin e Ukrainës për pranim në Bashkimin Evropian, deri në fund të javës së ardhshme.
“Diskutimet e sotme do të na mundësojnë të finalizojmë vlerësimin tonë deri në fund të javës së ardhshme”, i tha Von der Leyen presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në fund të muajit shkurt, Ukraina e ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Pavarësisht se disa ligjvënës të BE-së e mirëpritën aplikimin, anëtarësimi i Ukrainës duket ende proces i largët.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se nuk mund të ketë një inkuadrim të shpejtë të Ukrainës në BE. Ai ka thënë se BE duhet t’i respektojë procedurat, duke shtuar se “përndryshe humbet serioziteti procesit të zgjerimit”.
Në ndërkohë liderët ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, kanë bërë thirrje për anëtarësim të shpejtë të Ukrainës në BE.
Të shtunën Zelenskyy tha se vendi i tij “do të triumfojë patjetër në luftën e nisur nga Rusia”.
Në një fjalim drejtuar pjesmarrëve të takimit të sigurisë që po mbahet në Singapor, Zelenskyy tha se Ukraina po has në vështirësi në furnizimin me produkte ushqimore dhe se disa pjesë të botës po përballen me “një krizë akute e të rëndë ushqimore dhe me urinë”, për shkak të bllokadës ruse.
(Sipas REL dhe VOA)