Prishtinë, 22 tetor 2024 – Drejtoresha e degës së Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Mary Eileen Devitt, ka thënë të martën se prej vitit 1999, kjo agjenci amerikane ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.
Ajo i ka bërë këto deklarata në ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të ekzistencës së USAID-it në Kosovë, duke përmendur se USAID-i ka ndihmuar në rindërtimin e shumë institucioneve dhe infrastrukturës së shkatërruar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas saj, në 25 vjetët e fundit, Kosova është bërë vend modern, dhe i cili duhet të qëndrojë konsistent me vlerat e veta, në ndërtimin e një shoqërie demokratike multietnike.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendi i tij është krenar për gjithçka që ka arritur Kosova në periudhën e pasluftës, edhe pse në vitin 1999 nuk kishte shumë optimizëm.
“Ne nuk kemi mundur, dhe nuk kemi dashur që populli i Kosovës të mbetet vetëm. USAID-i ishte një domosdoshmëri në atë kohë, për të ndihmuar popullin e Kosovës që të shërohet nga ngjarjet e luftës dhe të fillojë të shikojë drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të ndritshme”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai e ka përmendur që krahas zhvillimit aktual, vendi ka nevojë për zhvillim të vazhdueshëm.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka nisur një video-mesazh, duke thënë se SHBA-ja ka investuar në ëndrrën e qytetarëve të Kosovës, në liri dhe përparim.
“Na u dha një dorë gjatë regjimit të [liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit, një dorë ndihme nga SHBA-ja, me mesazhin ‘nuk do të jeni vetëm’. Tullë mbi tullë, shkollë më shkollë, projekt pas projekti, ju na ndihmuat të ndërtonim një të ardhme më të mirë”, ka thënë ajo.
Edhe ajo e ka përmendur nevojën që Kosova të vazhdojë rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë.
“Nuk ia dalim dot vetëm, ne kemi nevojë për një mik dhe një partner, dhe SHBA-ja është ajo”.
Në 25 vjetët e fundit, programet e USAID-it janë fokusuar në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në gusht të këtij viti, presidentja Osmani e ka nënshkruar një grant me USAID-in, i cili ofron ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
Ai grant është pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synon ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.
Ambasadori Hovenier ka theksuar më herët se mbështetja e Qeverisë amerikane për popullin e Kosovës është më e fortë se kurrë, dhe se nuk do të ndalet përkundër disa mosmarrëveshjeve me Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti
Me mosmarrëveshje kryesisht u referohet hapave të ndërmarrë nga Qeveria që kanë ndikim në komunitetin serb në Kosovë, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele, që funksionojnë sipas sistemit serb, e tjera.
SHBA-ja ka paralajmëruar disa herë se lëvizjet e “pakoordinuara” të Qeverisë së Kurtit mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e partneritetit mes dy vendeve.
(Radio Evropa e Lirë)