Prishtinë, 4 gusht 2022 – Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka njoftuar se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur të ngjiten në majën më të lartë të Evropës Perëndimore, Mont Blanc.
“Ushtarakët tanë, përveç majave të suksesit në operacione, arrijnë edhe majën më të lartë, Mont Blanc-un e famshëm. Pas disa ditë ecjeje tejet sfiduese, ushtarakët e FSK-së, Besart Ejupi, Arben Rexhepi, Fatmir Tahiri, Kushtrim Hyseni dhe zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Flamur Arifaj, dje e pushtuan me sukses Mont Blanc-un, majën më të lartë në Evropën Perëndimore, në lartësi prej 4810 m”, thuhet në njoftimin e postuar në Facebook.
Ministria e vlerëson këtë si sukses të jashtëzakonshëm të pjesëtarëve të FSK-së, për çka ndjehet krenare.
“Ky është sukses i madh i djemve tanë, të cilët, përveç me angazhimin vetëmohues e profesionalizimin e lartë në operacione ushtarake, na bëjnë shumë krenarë edhe me këtë sukses të jashtëzakonshëm. Krenar me ju djema! Forca për sfidat e sukseset e radhës!”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës.
(r.m.)