Ushtari rus: “Putini na futi në luftë pa stërvitje, si qentë”

The Sun ka fituar të drejtën ekskluzive të hyjë në një kamp të robërve të luftës në Ukrainë dhe i ka dëgjuar nga dora e parë historitë e pabesueshme të ushtarëve rusë.

Ushtarët e kapur thanë se ishin hedhur në betejë si “çakejtë”, pa trajnimin e duhur, kur Presidenti Vladimir Putin filloi pushtimin e paligjshëm të Ukrainës, në muajin shkurt.

Ne i intervistuam dy të burgosur në Dnipro, të përzgjedhur nga stafi i burgut, dhe i vizituam një dhomë ku flenë tetë burra.

The Sun has gained exclusive access to a prisoner of war camp in Ukraine

Të dy burrat ishin vizituar nga anëtarë të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, për të kontrolluar nëse po trajtoheshin në përputhje me Konventën e Gjenevës.

Intervistat tona të mbikëqyrura ishin të kufizuara në 90 minuta. Burrat që i takuam nuk treguan shenja lëndimesh dhe thanë se kushtet e kampit ishin të mira.

The Sun i ka ndryshuar emrat e tyre dhe ka mbajtur sekret detajet e njësive të tyre, për t’i mbrojtur ata nga hakmarrja e Kremlinit.

PRIVAT VADIM, 26 vjeç, I KAPUR NË KHARKIV

VADIM ishte në një raketahedhëse “Grad” kur kolona e tij u godit në një pritë në Kharkiv, në ditën e tretë të luftës.

Ai tha: “Më hodhi jashtë një shpërthim dhe pashë para meje një kamion duke shpërthyer. Mendova se të gjithë kishin vdekur. Nuk kishte se si të mbijetonin.

“Kamioni pas meje u godit dhe u ndez. Po bartte municion, prandaj e dija se do të shpërthente, kështu që më duhej të ikja.”

Ai u zvarrit deri te një pemë anës rrugës dhe humbi ndjenjat. Kur erdhi në vete pa se rreth tij po binin predha ukrainase. Ai arriti të fashojë një plagë në pjesën e sipërme të kofshës së majtë, ku kishte pësuar një prerje nga ciflat e granatës.

Më vonë, Vadimi u fut në një shtëpi të braktisur, ku qëndroi dhjetë ditë. Aty hante biskota dhe ëmbëlsira të lëna nga rojet që patrullonin dhe pinte ujë nga një rubinet që kishte ende ujë të rrjedhshëm.

Kur këmba u shërua mjaftueshëm, ai u përpoq të ikte dhe eci tri milje nëpër një pyllin pranë qytetit derisa arriti në një bllok apartamentesh të bombarduar. Në njërën nga banesat kishte një frigorifer plot me ushqime, kështu që ai qëndroi aty. Por, pas tri ditësh ai e pa një patrullë ukrainase andepari dhe vendosi të dorëzohej.

Ai tha: “Zbrita poshtë dhe eca shumë ngadalë, me duart lart. Po mendoja: “Nëse ka një snajper, atëherë ka mbaruar”.

“Dëgjova një thirrje që të ndaloj dhe u gjunjëzova në dysheme, shumë ngadalë. Më urdhëruan të shtrihesha dhe më bënë pyetje se kush isha dhe nga kisha ardhur”.

“Pastaj e thirrën një njësi tjetër dhe më morën. Së pari në një vend, pastaj më sollën këtu.”

Vadimi iu bashkua ushtrisë gjashtë vjet më parë për para. Ai fitonte rreth 650 funte në muaj.

Ai po aftësohej për mekanik dhe planifikonte ta merrte patentën e tij HGV në mënyrë që të mund të bëhej shofer kamioni të distancave të gjata pasi të linte ushtrinë.

Vadimi tha: “Tani i kam dy opsione. Ose të jem në burg këtu ose do të jem në burg në Rusi, për shkak të asaj që kam thënë për ushtrinë ruse”.

“Shumë njerëz mendojnë se ushtria ruse është ushtria e dytë në botë, por ne nuk kemi asgjë. Ne nuk kemi trajnime, nuk kemi pajisje, por në Rusi është krim ta thuash këtë”.

Ai tha se një nga komandantët me të cilin shërbeu në luftë ishte më i miri që kishte pasur ndonjëherë. Por, të tjerët i mallkoi si “çakej”.

Vadim tha: “Ata nuk kujdesen për njerëzit e tyre. Ata na trajtojnë si qen”.

Deri në kohën kur ra në pritë, më 26 shkurt, njësia e raketahedhësve e Vadimit kishte lëshuar pothuajse 1000 raketa, në tri sulme shkatërruese.

Ai tha se ai dhe shokët e tij e dinin se diçka e madhe po ndodhte, sepse disa ditë para pushtimit u urdhëruan t’i dorëzonin telefonat dhe dokumentet e tyre të identitetit.

Vadimi tha: “Në fillim nuk e kuptuam se ku ishim apo ku po shkonim, por ditën e dytë e morëm vesh. Ne kaluam në territorin ukrainas dhe e denim sepse e pamë gardhin kufitar të shkatërruar.

“Na urdhëruan të përgatitnim raketahedhësit dhe na i dhanë koordinatat për të qëlluar. Ne nuk e dinim se çfarë po qëllonim, por tani e kam kuptuar se po e goditnim një fshat me civilë.”

Rrëmbyesit e tij i kanë treguar gjithashtu për mizoritë e kryera nga ushtarët rusë, duke përfshirë qindra rrëfime për vrasje, tortura dhe përdhunime të fëmijëve.

Vadim tha: “Kam menduar shumë për krimet e luftës. E besoj, sepse e di se si shkojnë gjërat në vendin tim dhe sepse ata lejojnë që kushdo t’i bashkohet ushtrisë.”

KAPORAL IVAN, 22 vjeç, I KAPUR NË KHARKIV

Nëntetari Ivan tha se kur e thirri mamanë e tij për t’i thënë se ishte kapur rob, ajo nuk kishte mundur të fliste, sepse “po qante shumë”.

Lotët i rrodhën në fytyrë derisa e përshkruante momentin kur rojet e kampit të të burgosurve i kërkuan të telefononte në shtëpi.

Ukraina i ka lejuar të burgosurit të thërrasin në shtëpi, për të përcjellë mesazhin për atë që po ndodh në luftë. Por,Ivani këmbënguli se rojet nuk i dhanë atij mesazh të veçantë për t’i dhënë. Gjithçka që ata donin ishte që e ëma të mësonte se djali i saj ishte kapur dhe ishte ende gjallë.

Ivani ishte pjesë e një njësie raketore të rënë në pritë në afërsi të Kharkivit. Raketahedhësi i tij i montuar në kamion “Grad” u qëlluar drejtpërdrejtë dhe shpërtheu, por ai arriti të shpëtonte, bashkë me dy shokë.

Ata u fshehën në një shtëpi deri në mbrëmje, më pas ikën në këmbë nëpër një pyll derisa e panë një raketë-hedhës tjetër “Grad”, për të cilin menduan se ishte i një njësie ruse. Ivan shkoi deri te ekipi i raketahedhësit, me të dyja duart në ajër.

Por, kur e kuptoi se ajo ishte një njësi ukrainase, kuptoi se gjithçka që mund të bënte ishte të dorëzohej.

Ai tha: “Më urdhëruan të shtrihesha, m’i hoqën të gjitha rrobat dhe më kontrolluan. Pastaj, të nesërmen më morën. Frika ime më e madhe ishte se do të vdisja. Kur po dorëzohesha, kisha frikë se do të më pushkatonin”.

Disa orë para se të binin në pritë, ai kishte mbetur pagojë nga frika kur kishte pare persona të armatosur duke hapur zjarr ndaj kolonës së tyre.

Ivani tha: “Ne u hodhëm jashtë dhe u shtrimë përtokë. Mendova se do të vdisja. Nuk po mendoja për asgjë tjetër, thjesht po mendoja se do të vdisja. Ndjeva se isha plagosur dhe nuk mund të lëvizja”.

Ai tha se, çuditërisht, njësia e tij nuk ishte trajnuar kurrë se si të reagonte në rast se bie në pritë.

Ai tha: “Ne bëjmë ushtrime në terren vetëm dy herë në vit. Ne largohemi një muaj, dy herë në vit, dhe praktikojmë të qëllojmë, por nuk stërvitemi për prita. Artileria supozohet se nuk do të bie në pritë”.

Deri në atë moment, karrierën e tij ushtarake dyvjeçare ai e kishte kaluar kryesisht duke e drejtuar një fadromë bore për të pastruar rrugët përreth Murmanskut. Ai kishte ambicie vetëm të transferohej te e dashura e tij dhe nga paga e tij prej 730 £ në muaj të kursente për të blerë një makinë.

Ivani tha: “Doja të merrja patentën dhe të blija një ‘Toyota Camry’. Nuk e kisha menduar kurrë se do të shkoja në luftë. Shumicën e kohës ne vetëm pastronim borën ose i servisonim makinat ‘Grad’.”

Në fillim ai kishte nënshkruar për dy vjet shërbimi në ushtri. Por, kur kishte ardhur koha të largohej, e dashura e tij ishte ende në shkollën e mjekësisë. Kështu Ivani kishte pranuar të qëndronte në ushtri edhe për tre vjet të tjera dhe më pas të zhvendoseshin së bashku.

Disa muaj pasi ai e zgjati shërbimin në ushtri, Rusia e pushtoi Ukrainën.

I pyetur për mizoritë ruse, përfshirë torturën, përdhunimin dhe vrasjen, Ivani tha: “Jam i tronditur. Ata janë thjesht idiotë.”

Tani, ai thotë se shpresa e tij më e madhe është të jetë pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.

Ai tha: “Unë thjesht dua të shoh përsëri nënën time dhe të dashurën time.”

(r.m.)