Uashington, 16 janar 2024 – Ushtria amerikane ka thënë të martën se ka konfiskuar pjesë të raketave të prodhuara nga Irani që kanë pasur për destinacion rebelët Huthi.
Pjesët janë marrë prej një anije në Detin e Arabisë, në operacionin e parë të tillë, prej nisjes së sulmeve të rebelëve Huthi kundër anijeve komerciale, vitin e kaluar.
Pjesët, të cilët janë konfiskuar në kuadër të operacionit Navy SEAL në ujërat ndërkombëtare afër gjirit të Somalisë, kanë qenë “raketa balistike të prodhuara nga Irani dhe pjesë të raketave të lundrimit”, ka thënë Komanda Qendrore e SHBA-së, përmes një deklarate në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Në deklaratë është thënë se armët e konfiskuara janë përdorur prej rebelëve Huthi për të kërcënuar dhe sulmuar marinarë të pafajshëm gjatë transitit të anijeve në Detin e Kuq.
Njoftimi për konfiskim vjen pasi forcat amerikane dhe ato britanike kanë goditur të premten bastione të rebelëve nëpër Jemen, veprim që është nxitur prej sulmeve të vazhdueshme të rebelëve kundër anijeve komerciale.
Sulmet nga dhe kundër rebelëve Huthi, pjesë e “boshtit të rezistencës” së grupeve të lidhura me Iranin, kanë rritur shqetësimet për përhapje të dhunës në rajon, pas shpërthimit të luftës në Gazë.
“Është e qartë që Irani vazhdon të dërgojë ndihmë të avancuar vdekjeprurëse për rebelët Huthi. Ky është edhe një shembull se si Irani nxit jostabilitet në rajon”, ka thënë shefi i Komandës Qendrore të SHBA-së, Michael Kurilla, duke shtuar se veprimet e Teheranit shkelin rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar.
Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq janë si shenjë solidarizimi me Gazën, ku militantët e Hamasit – të përkrahur nga Irani – janë në luftë me Izraelin për më shumë se tre muaj.
Rreth 12 për qind e tregtisë globale kalon përmes Ngushticës Bab al-Mandeb, hyrjes në Detin e Kuq, përmes jugperëndimit të Jemenit dhe Xhibutit. Sulmet e rebelëve kanë shkaktuar çrregullim të madh të trafikut, duke i detyruar shumë anije të marrin rrugë alternative rreth Afrikës.
(REL)