Tiranë, 20 janar 2023 – Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë nisur drejt Kosovës të premten mbrëma, për t’i ndihmuar banorët e zonave të cilat u vërshuan një ditë më parë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka publikuar edhe një video të makinerive që janë dislokuar në Kukës, gati për t’u nisur drejt Kosovës.
“Trupat dhe mjetet tona të Forcave të Armatosura, për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur shumë rëndë nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme”, ka shkruar Rama në Facebook.
Videoja është shpërndarë edhe nga ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi.
“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit”, ka shkruar Peleshi në Facebook.
Ai tutje ka thënë se janë të gatshëm për të ndërhyrë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës.
“Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, ka përfunduar Peleshi.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje nëpër disa qytete të Kosovës të enjten.
Gjendje më e rënduar ka qenë në Skenderaj, Mitrovicë, Istog, Pejë e Podujevë.
Për shkak të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, në Mitrovicë dhe Skenderaj, por edhe në Klinë dhe Zubin-Potok, asnjë shkollë nuk ka mbajtur mësim.
(Telegrafi)