Ushtria izraelite njoftoi se i vrau gabimisht tre izraelitë që mbaheshin peng në Gazë

Tel Aviv, 15 dhjetor 2023 – Ushtria e Izraelit njoftoi të premten se, gjatë një operacioni tokësor në Rripin e Gazës, siç tha, i ka vrarë gabimisht tre izraelitë që mbaheshin peng nga Hamasi.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se trupat izraelite i gjetën pengjet dhe i vlerësuan gabimisht si kërcënim. Ai tha se nuk është e qartë nëse pengjet kishin ikur apo ishin braktisur nga pengmarrësit.

Vrasja e tyre ndodhi në rrethinën Shiaja në Qytetin e Gazës, ku trupat izraelite kanë hasur në rezistencë të madhe nga luftëtarët e Hamasit ditëve të fundit.

Hagari theksoi se ushtria “ndien keqardhje të thellë” dhe se po e heton rastin.

Ai njotoi se dy nga viktimat janë Yotam Haim dhe Samer Talalka, ndërsa emrin e viktimës së tretë nuk e publikoi, pase këtë e ka kërkuar familja e tij.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, tani në muajin e tretë, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu një sulm tronditës në jug të Izraelit duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbeu mbi 240 të tjerë.

Një pjesë e pengjeve u liruan nga Hamasi gjatë një armëpushimi njëjavor muajin e kaluar, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Prej atëherë, Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe e ka rrënuar shumicën e saj. Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se mbi 18.600 palestinezë janë vrarë, kryesisht fëmijë dhe gra, dhe rreth 50.000 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej 7 tetorit.

(REL)