Tel Aviv / Gaza, 27 tetor 2023 – Ushtria izraelite njoftoi të premten se forcat e saj tokësore po zgjerojnë operacionet në Rripin e Gazës.
“Në vazhdim të sulmeve që kemi kryer në ditët e fundit, trupat tokësore po zgjerojnë ndërhyrjen tyre gjatë mbrëmjes. Po ndërhyjmë me forcë të madhe për të arritur objektivat e luftës”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Kundëradmiral Daniel Hagari.
Izraeli ka dislokuar qindra mijëra trupa në kufirin me Gazën, në prag të një sulmi të mundshëm me trupa tokësore ndaj grupit militant të Hamasit.
Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, tha të premten se Izraeli pret që së shpejti të kryejë një ofensivë afatgjatë dhe të vështirë me trupa tokësore në Gazë, duke shtuar se sulmi do të përfshijë edhe shkatërrimin e një sërë tunelesh që përdoren nga militantët e Hamasit.
Gallant u tha gazetarëve të huaj se sulmi “do të marrë kohë” dhe do të pasohet nga një fazë e gjatë me luftime me intensitet më të ulët që Izraeli të shkatërrojë çdo pikë rezistence.
Komentet e tij duket se sinjalizojnë një faze të re të luftës, tre javë pas sulmit të befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit. Izraeli është kundëpërgjigjur me bomardime të rënda dhe të vazhdueshme në Gazë.
Izraeli thotë se synon të eliminojë Hamasin, por se si do ta bëjë këtë mbetet e paqartë. Izraeli thotë se nuk synon të qeverisë territorin e vogël me një popullsi prej 2,3 milionë palestinezësh, por jo se kush do ta qeverisë ata, edhe pse zoti Gallant la të kuptohet se forcat mund të përballen me një kryengritje të afatgjatë.
Ushtria izraelite tha se ka vazhduar sulmet ajrore ndaj tuneleve dhe objektivave tjera të Hamasit.
Kompania telefonike palestineze Pailtel tha se shërbimi i internetit në Gazë është ndërprerë, për shkak të bombardimeve izraelite. Shërbimi u ndërpre të premten mbrëma, pas një sërë sulmesh të rënda ajrore në territor.
Që kur Izraeli nisi sulmet ajrore, në përgjigje të sulmit të grupit militant të Hamasit, në 7 tetor, numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në mbi 7300. Më shumë se 1400 banorë izraelitë janë vrarë, shumica civilë, gjatë sulmit të befasishëm të grupit militant të Hamasit, i sanksionuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. 229 persona, mes tyre te huaj, u morën peng nga militantët e Hamasit dhe po mbahen në Gazë. 4 prej pengjeve janë liruar.
(r.m.)