Ushtria ruse godet me raketa objektiva në Kiev dhe Lviv

Kiev, 16 prill 2022 – Shpërthime u dëgjuan në qytetet e Kievit dhe Lvivit në mëngjesin e 16 prillit, pas paralajmërimeve nga Rusia se do të intensifikojë sulmet në kryeqytetin ukrainas. Moska ka kërcënuar se do ta sulmojë Kievin, ka akuzuar trupat ukrainase se kanë shënjestruar qytetet kufitare ruse.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se raketat goditën qarkun Darnitski që gjendet në periferi të qytetit. Ndërkaq, guvernatori i Lvivit, Maksym Kozytskyi, tha sulmet kanë ndodhur në orën 05:46 dhe 07:02, sipas kohës lokale, por nuk dha më shumë detaje.

Përveç në Kiev dhe Lviv, sirenat për sulme ajrore janë dëgjuar në shumë pjesë të Ukrainës në orët e mëngjesit.

Sulmet raketore ruse ndodhën pas zotimit të Rusisë se do të sulmojë më shumë objektiva në Ukrainë, një ditë pasi luftanija kryesore ruse “Moskva” u fundor në Detin e Zi.

Kjo luftanije u fundos më 14 prill, pasi pësoi dëme të mëdha. Moska tha se luftanija u fundos pasi u dëmtua nga një zjarr që shpërtheu në bord. Por, Kievi tha se forcat ukrainase e kanë goditur luftanijen me raketa “Neptun”.

Ushtria amerikane është pajtuar me versionin ukrainas.

“Ne vlerësojmë se luftanija është goditur me dy raketa Neptun”, tha një zyrtar i Pentagonit.

Ai tha se fundosja e luftanijes kryesore ruse është “një goditje e rëndë” për Rusinë.

(r.m.)