Kiev, 15 korrik 2022 – Ndihmat perëndimore për Kievin janë jetike për të penguar përparimin e forcave ruse, të cilat tashmë kontrollojnë një pjesë të territorit në lindje të Ukrainës. Por, ushtria ukrainase synon që me armët si topi special amerikan “Howitzer”, të rimarrë kontrollin në territoret e pushtuara.
Ushtarët e Ukrainës sollën në fushëbetejë në verilindje të vendit të shkatërruar nga lufta, armët e artilerisë së rëndë amerikane “Howitzer”.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës një tjetër grup topash “Howitzer” të llojit M777 me predha 155 milimetërshe.
Dërgesa ishte në kuadër të paketës së ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për të penguar përparimin e Rusisë në sulmin kundër Ukrainës, i nisur në shkurt të këtij viti.
Në varësi të llojit të predhës së përdorur, topat Howitzer, mund të lëshojnë deri në 5 predha në minutë me një rreze veprimi nga 24 deri në 30 kilometra.
Ministria e Jashmte e Ukrainës thotë se vlerëson çdo ndihmë të ofruar, por përdisa kjo nuk mjafton për ta fituar luftën, Ukraina do të vazhdojë të kërkojë më shumë.
Mbi 30 vende të ndryshme i kanë dhënë Ukrainës një numër të madh pajisjesh moderne dhe të fuqishme ushtarake.
Mes luftimesh në rajonin e Kharkivit, një ushtar ukrainas i njohur me nofkën “Enot”, thotë se që nga viti 2014, kur ushtarët rusë kaluan kufirin me Ukrainën, qasja e ukrainasve ndaj rusëve ka ndryshuar.
“Nuk jemi më popull mik. Tani, për mua, komb vëllazëror është Evropa. Aty ku jemi nisur. Po shkojmë ngadalë, por me hapa të sigurt”, thotë ai.
Në periferi të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, historiani Roman Semenyha jep ligjerata frymëzuese për ushtarët ukrainas.
Ai shoqëron pjesëtarët e batalionit në pozicionet e tyre, në përpjekje për të ngritur moralin e ushtrisë.
“Ushtarët dërrmohen, ndihen të lodhur, prandaj është e rëndësishme t’u jepet mbështetje emocionale. Njerëzit duhet të dinë se për çfarë po luftojnë, nipërit e kujt janë. Se ne jemi pasardhës të kozakëve ukrainas, luftëtarë të ushtrisë rebele ukrainase. Në fakt, ne jemi një komb paqësor, por njëkohësisht shumë luftarak kur na sulmojnë”, thotë historiani.
Armët perëndimore pritet të kenë ndikim të madh në fushën e betejës, duke ndryshuar dinamikën e luftimeve pas gati pesë muajsh.
Ministria e Jashtme ruse kritikoi Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për ndihmën në trajnimin e forcave të armatosura të Ukrainës, ndërsa akuzoi Uashingtonin se i ka ofruar Ukrainës instruktorë për të ndihmuar forcat e Kievit në përdorimin e sistemit të raketave me lëvizshmëri të lartë “HIMARS”.
(Zëri i Amerikës)