Një grafik që tregon ushtritë më të vogla në botë dhe numrat përkatës të ushtarëve.
Kosova, vendi me ushtrinë më të re, me vetëm 2,500 ushtarë ka një nga ushtritë e vogla te Europës.
Aty është edhe një listë me 23 vendet e vetme të botës që nuk kanë fare ushtri.
Sigurisht në epokën moderne ka dy dallime të mëdha. Forca e një ushtrie nuk përcaktohet edhe aq nga numri i ushtarëve, sesa nga teknologjia luftarake dhe përgatitja profesioniste. Dhe dallimi i dytë, mbrojtja po bëhet gjithnjë e më shumë një koncept kolektiv. Shumica e vendeve të vogla më shumë se në armët e tyre besojnë në aleancat ku marrin pjesë, në miqësitë dhe përputhjen e interesave me vende më të mëdha, në organizatat ndërkombëtare, si dhe në një interes të përgjithshëm mbizotërues për ruajtjen e paqes në rajonet e tyre e në botë.
Rasti i Kosovës nuk është përjashtim. Krijimi i ushtrisë, ndonëse një ngjarje e madhe kombëtare, ka vlerë më të madhe simbolike politike, sesa praktike në fushëbetejë.
Duke shpresuar që të mos vijë dita për t’u vënë në provë, mbrojtja e kufijve të Kosovës sigurohet sot, pothuajse në mënyrë ekskluzive nga KFOR-i, një forcë paqeruajtëse që merr fuqinë nga NATO. Në mungesë të NATO-s, problem real i Serbisë, nuk do të ishte pushtimi i Kosovës. Ajo ka ushtri shumë më të fortë dhe më të madhe. Problemi për Serbinë do të ishte ai i përjetshmi, aftësia për ta mbajtur Kosovën në pushtim. Do të ishte tepër e kushtueshme jo vetëm fizikisht, financiarisht, diplomatikisht po me pasoja të rënda për vetë demokracinë dhe lirinë e shoqërisë serbe. Vetëm një regjim i natyrës militariste-fashiste si ai i Millosheviqit mund të detyrojë një shoqëri që burimet e saj të jetesës t’i shpenzojë jo për të mirën e saj po për hir të mbajtjes zap të një populli tjetër. Mitologjia është biznes i shtrenjtë në shekullin 21. Kosova, gjoja “djepi i Serbisë”, do të përfundonte në arkivol të të ardhmes së saj. (Ruben Avxhiu)