Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Pyetje nga lexuesi: Një person që ka green card ka paraqitur një peticioni për bashkim familjar për të bijën që së shpejti mbush 21 vjeç. A do të mundet vajza ta marrë green card-ën apo peticioni në fjalë nuk do të aprovohet, pasi ajo nuk është më e mitur?
Kam ardhur në SHBA përpara disa vitesh. Fatkeqësisht, duke qenë se peticionin për bashkim familjar për ne e paraqiti djali që është nënshtetas amerikan, erdhëm duke lënë në vendlindje vajzën tonë 16 vjeçare. Sapo mora green card-ën, paraqita peticionin për bashkim familjar me vajzën. Sapo viza për vajzën qe gati, Departamenti i Shtetit të SHBA-së ia kaloi dosjen konsullatës. Problemi që kemi është që ditëlindja e vajzën po afron dhe shumë shpejt ajo do të mbushë 21 vjeç. Kam frikë se kjo gjë do t’i prishë punë çështjes së saj të emigracionit, pasi me të kaluar moshën 21 vjeç, vajzës do t’i duhet të presë më gjatë. A ka shpresë që diçka e tillë të mos ndodhë?
KM
Bronx, New York
Po, ka shpresë. Dekreti për mbrojtjen e statusit të fëmijëve, i njohur si “Child Status Protection Act” (CSPA) u vu në zbatim nga Kongresi amerikan për të mbrojtur fëmijët të cilëve “u kalon mosha” për shkak të vonesave të shkaktuara nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë (CIS) gjatë proçesimit të peticioneve për vizë si dhe aplikimeve për strehim politik. Vajza e lexuesit tonë është “përfituesi” pra personi që pritet të përfitojë nga një peticion për bashkim familjar. Sipas përkufizimit që bën ligji i emigracionit, me “fëmijë” nënkuptohet dikush që është i pamartuar dhe nuk ka mbushur ende moshën 21 vjeç. CSPA-ja nuk e ndryshon këtë përkufizim, por ndryshon momentin kur fillon të llogaritet mosha e personit të mitur.
Përpara vënies në zbatim të CSPA-së, një aplikim për green card i një përfituesi të mitur të drejpërdrejtë ose jo (derivativ) aprovohej vetëm në rast se për të merrej vendim përpara se i mituri nw fjalë të mbushte moshën 21 vjeç. Me të mbushur moshën 21 vjeç, fëmija konsiderohej që e kishte “kaluar moshën” dhe humbiste statusin preferencial të të miturit. Për shkak të grumbullimit të shumë çështjeve të prapambetura të emigracionit, shumë fëmijëve u kalonte mosha përpara se të merrej vendim për çështjen e tyre. Kurse tani, CSPA-ja bën të mundur që mosha e fëmijëve që përfitojnë nga ky dekret, në një moment të caktuar të proçesimit të çështjes, të “ndalojë” duke bërë të mundur që shumë persona, të cilët rrezikonin t’u kalonte mosha, të vazhdojnë të ruajnë statusin e të miturit.
Përfitojnë nga CSPA-ja: personat që përfitojnë indirekt nga një aplikim për strehim politik (përfitues derivativë); fëmijët e nënshtetasve amerikanë; fëmijët e personave me green card; si dhe ata që përfitojnë indirekt nga vizat e llotarisë amerikane, peticionet e bashkimit familjar apo peticionet që kanë për bazë punësimin.
Në rastin konkret të lexuesit tonë, vajza është fëmija e një personi që ka green card dhe si e tillë ajo mund të përfitojë nga CSPA-ja. Procesi që përcakton nëse ajo përfiton ose jo nga CSPA-ja varet nga një numër faktorësh të ndërlikuar. Mosha e përfituesit “ndalet” ditën kur “i vjen koha” datës prioritare të vizës, dhe asaj i zbritet numri i ditëve gjatë të cilave peticioni ka qenë “pezull”, por kjo vetëm atëherë kur përfituesi ka bërë kërkesë që të marrë statusin e banorit të ligjshëm të përhershëm (green card) brenda vitit nga dita kur viza është bërë e disponueshme. Së pari, llogarisim moshën e fëmijës në momentin kur për të u vu në dispozicion një vizë. Së dyti, kësaj moshe i zbresim numrin e ditëve gjatë të cilave peticioni ka qenë “në pritje” dhe së treti, vendoset nëse përfituesi në fjalë ka kërkuar ose jo green card brenda vitit nga data kur viza u bë e disponueshme. Dy hapat e parë përcaktojnë moshën e fëmijës, por mosha “ndalet” vetëm nëse plotësohet hapi i tretë.
CIS-ja dhe Departamenti i Shtetit konsiderojnë si kohë kur viza është bërë e disponueshme ditën e parë të muajit kur sipas Departamentit të Shtetit datës prioritare “i ka ardhur koha”. Më pas, mosha e fëmijës përcaktohet duke i hequr moshës që fëmija kishtë ditën kur u vu në dispozicion viza, numrin e ditëve gjatë të cilave peticioni për vizë ishte “në pritje”. Si rregull, peticioni është “në pritje” gjatë periudhës ndërmjet datës së paraqitjes konform rregullave dhe datës së aprovimit. Si datë e paraqitjes së peticionit për vizë – me qëllim përmbushjen e kriterit të paraqitjes brenda vitit – quhet data kur u paraqit pjesa I e formularit DS-230.
Nëqoftëse mosha e përfituesit përcaktohet si 21 apo më e madhe, peticioni automatikisht konvertohet në kategorinë përkatëse, por përfituesi vazhdon të ketë si datë prioritare atë të peticionit origjinal. Kështu pra, nëqoftëse mosha e fëmijës së personit që ka green card përcaktohet si më e madhe se 21 vjeç, peticioni automatikisht konvertohet në peticion të kategorisë 2B, kategori ku përfshihen djali ose vajza (jo më e/i mitur) e personit që ka green card. Nëse peticioneri me green card bëhet nënshtetas amerikan, peticioni i paraqitur prej tij automatikisht konvertohet në një kategori tjetër më të lartë, por gjithnjë duke ruajtur si datë prioritare atë të peticionit fillestar.
Në rastin konkret të lexuesit tonë, është e rëndësishme të dihet sa vjeç ishte vajza në datën kur datës prioritare për vizë “i erdhi koha” (pra data kur për të u vu në dispozicion një vizë) si dhe nëse vajza bëri kërkesë për green card brenda vitit duke filluar nga data në fjalë. Nëse vajza nuk kishte mbushur 21 vjeç kur datës prioritare “i erdhi koha” si dhe i paraqiti të gjithë dokumentat e duhur për vizë në kohë, atëherë ajo mbrohet nga CSPA-ja pavarësisht se në momentin kur flasim mund të ketë mbushur moshën 21 vjeç dhe është në pritje që konsullata t’i japë vizën.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]