Vajza u arrestua për fshehjen e armës dhe mbështetjen e autorit të krimit sepse ajo kishte në qiramarrje apartamentin ku u gjet i shumëkërkuari Nuredin Dumani
Knid Ndrenika
Një vajzë 20-vjeçare nga Kosova u dëgjua nga Gjykata e Elbasanit në procesin kundër shtetasit të rrezikshëm Nuredin Dumani.
Vajza me shkronjat nistore të emrit dhe mbiemrit “M.H.” i tha trupës gjyqësore se nuk e ka ditur që i arrestuari tri më parë ka qenë person me llogari ndaj drejtësisë.
Dy vëllezërit e vajzës nga Gjilani ishin duke pritur fundin e seancës gjyqësore që e la atë me vendim të paraqitjes së detyruar dy herë në javë përpara policisë.
“Nuk e kam pasur idenë se mund të kishte identitet tjetër dhe se kishte probleme me ligjin”, – u citua të ketë thënë vajza sipas mediave.
20-vjeçarja nga Gjilani tha se i arrestuari i kishet premtuar se do të fejohej me të dhe se i ishte njoftuar me emër tjetër.
“E njihja me emër tjetër, më kishte thënë se ishte 27 vjeç dhe se do të fejoheshim së shpejti”-tha vajza që mbrohet nga avokati Ibrahim Sako.
Vajza u arrestua në të njejtin operacion me akuzën e fshehjes së armës dhe mbështetjen e autorit të krimit sepse ajo kishte në qiramarrje apartamentin ku u gjet i shumëkërkuari.
39-vjeçari Nuredin Dumani i listuar për të paktën 7 vrasje dhe u arrestua në Fier pasi ishte plagosur gjatë një përpjekjeje me armë kur ishte nisur për të vrarë një shtetas në Elbasan në fund të marsit.
Ndërkaq, një shtetas tjetër i arrestuar në atë operacion 40-vjeçari “H.H.” u la në burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Elbasan.
Prokuroria e akuzon këtë shtetas për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe pengim i zbardhjes së ngjarjes ndërkohë që iu gjet një pistoletë kur u arrestua.