Vaksina kundër COVID-it vazhdon të mbetet kërkesë kur aplikon për vizë emigruese.

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Djali im është nënshtetas amerikan dhe ka paraqitur dokumentat në emrin tim dhe të gruas sime, për bashkim familjar me të. Më thanë që duhet të bëj vaksinën kundër COVID-it. Pandemia ka mbaruar dhe njerëzit tani mund të udhëtojnë pa patur nevojë të vaksinohen. Pse atëherë duhet ta bëjmë vaksinën? Nuk më duket e drejtë; njerëzit nuk duhet të detyrohen të bëjnë vaksina. A ka ndonjë gjë që mund të bëj për të ardhur në SHBA dhe njëkohësisht për të shmangur vaksinën?

Anonim 

Jam dakort me ju që rregullat nuk po zbatohen në mënyrë të drejtë. Fatkeqësisht, vaksina ende kërkohet kur vjen puna për të marrë vizë emigruese (IV).  

Mund të bëni kërkesë që të përjashtoheni nga detyrimi për të bërë vaksinën (waiver), të vini në SHBA dhe nëse i bëni gjërat siç duhen, në fund të merrni edhe green card-ën. Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-i) u kërkon të gjithë aplikantëve të cilët duhet t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor të emigracionit që përpara se mjeku i caktuar nga emigracioni të kryejë kontrollin mjekësor përkatës, të marrin të gjitha dozat e nevojshme të vaksinës kundër COVID-it. USCIS-i mund të aprovojë kërkesën për përjashtim nga ky detyrim në ato raste kur vaksina kundër COVID-it: nuk është e përshtatshme për moshën; nuk këshillohet për arsye shëndetësore; nuk gjendet zakonisht aty ku mjeku i emigracionit ushtron profesionin; ose gjendet në sasi të kufizuara dhe diçka e tillë do t’i shkaktonte aplikantit vonesa të ndjeshme në kryerjen e vaksinimit. Dikush mund të bëjë kërkesë vetjake për përjashtim bazuar në besimin apo bindjet morale përkatëse. Kjo bëhet e mundur duke paraqitur formularin Form I-601, Application for Waiver of Grounds of Inadmissibility.

E thënë në mënyrë më specifike, që dikush të mund të kualifikohet për përjashtim nga kërkesa për të marrë vaksinën, ai ose ajo duhet të përmbushin tre kërkesat në vijim:

Aplikanti duhet të kundërshtojë të gjitha vaksinimet në të gjitha format

Aplikanti duhet të demonstrojë se ai ose ajo kundërshton vaksinimet në të gjitha format; aplikanti nuk mund të “të zgjedhë si i do qejfi” disa vaksinime po dhe disa jo. Fakti që aplikanti ka marrë disa vaksina të caktuara, por jo të tjerat, nuk përbën automatikisht një arsye për të hedhur poshtë kërkesën për përjashtim. Nëpunësi i emigracionit duhet të marrë parasysh arsyet e paraqitura nga aplikanti se pse i ka bërë ato vaksina. 

Kundërshtimi për t’u vaksinuar bazohet në arsye fetare ose bindje morale.

Ky rast duhet të trajtohet me ndjeshmëri. Nga një anë, besimi fetar i dikujt duhet   vënë në peshore me përfitimin që ka shoqëria në tërësi nga bërja ose jo e vaksinës nga ky individ. Nga ana tjetër, nëpunësi i emigracionit duhet të jetë i ndërgjegjshëm që vaksinimet mund të jenë ofenduese për besimin fetar të dikujt.

Besimi fetar dhe bindjet morale duhet të jenë të sinqerta.

Për të mbrojtur vetëm ato besime që konsiderohen si çështje të ndërgjegjes, aplikanti duhet të tregojë se ai ose ajo beson sinqerisht. Edhe nëse këto besime pasqyrojnë me saktësi konkluzionet përfundimtare të aplikantit në lidhje me vaksinimet, ato duhet ta kenë burimin në bindjet fetare ose morale dhe nuk duhet t’i jenë përshtatur kushteve të një besimi të caktuar për arsye përfitimi ligjor, siç është rasti i miratimit të kërkesës për përjashtim. Nuk ka nevojë që aplikanti të jetë anëtar i një feje të njohur ose të frekuentojë një shtëpi të caktuar kulti.

Është e nevojshme të bëhet dallimi midis besimit të fortë fetar ose bindjeve morale dhe një preference të thjeshtë. Besimet fetare ose bindjet morale përgjithësisht përcaktohen nga aftësia që ato kanë për të bërë që një ndjekës të shpërfillë me vendosmëri interesin vetjak në favor të parimeve fetare ose morale. Është përgjegjësia e aplikantit që të tregojë në mënyrë bindëse që kundërshtimi i fortë që shpreh ndaj vaksinimeve bazohet në besim fetar ose bindje morale, dhe jo në një preferencë të thjeshtë të tij ose të saj kundër vaksinimeve.

Kërkesa për përjashtim bëhet duke paraqitur Formularin I-601 me tarifën përkatëse, së bashku me një deklaratë të lëshuar nën betim nga aplikanti, e cila përcjell natyrën e saktë të besimit të tij ose të saj të sinqertë fetar ose bindjes morale kundër vaksinave, dhe shpjegon se si këto besime do të shkeleshin ose rrezikoheshin nëse aplikanti do t’i bindej kërkesës për vaksinim. Nëse bindjet burojnë nga doktrina të posaçme fetare, është mirë që në aplikim të përfshihet çdo material i botuar nga organizata përkatëse fetare, që ka të bëjë me qëndrimin e saj ndaj vaksinave, ose deklarata të lëshuara nën betim nga anëtarë të tjerë të organizatës fetare në fjalë. Ashtu si në të gjitha përjashtimet e tjera të emigracionit, aprovimi ose jo i kërkesës për përjashtim nga detyrimi për t’u vaksinuar, është në autoritetin diskrecional të nëpunësit të USCIS-it që merret me çështjen. Megjithatë, ato kërkesa zakonisht aprovohen kur aplikanti i përmbush kërkesat e përshkruara më lart.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]