Vance: Nuk është e nevojshme forca ushtarake për ta marrë kontrollin e Grenlandës

Uashington, 28 mars 2025 – Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, ka thënë se forca ushtarake nuk është e nevojshme për ta marrë kontrollin e Grenlandës, pasi sipas tij, grenlandezët do të duan t’i bashkohen me dëshirë SHBA-së.

“Grenlandezët do të dëshirojnë të bashkëpunojnë me SHBA-në”, ka thënë Vance, gjatë vizitës së tij në bazën ushtarake amerikane në ishull.

Vance, i cili është zyrtari më i lartë amerikan që e ka vizituar ndonjëherë ishullin, ka thënë se baza ushtarake amerikane në Grenlandë është jetike për monitorimin e kërcënimeve raketore ndaj Amerikës së Veriut.

Ai ka thënë se Presidenti Trump ka të njëjtin mendim për planet për Grenlandën. Sipas tij, Grenlanda “është jashtëzakonisht e cenueshme tani” dhe e ka fajësuar sërish Danimarkën se, siç është shprehur, “nuk e ka mbajtur zonën të sigurt”.

Vance ka thënë se Kina dhe Rusia po tregojnë interes më të madh për Arktikun se aleatët e SHBA-së në Evropë dhe e ka kritikuar Danimarkën për “investim të pamjaftueshëm në arkitekturën e sigurisë” të territorit.

“Ne e dimë se kinezët janë shumë, shumë të interesuar për këtë ishull. Gjithashtu edhe Rusia. Kemi prova të forta për këtë”, ka thënë Vance.

Sondazhet tregojnë se popullsia e Grenlandës e kundërshton qeverisjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Danimarka, e cila e ka sovranitetin ndaj Grenlandës, e ka kundërshtuar ashpër idenë e Presidentit amerikan Donald Trump për ta marrë kontrollin e kësaj ujdhese autonome.

(r.m.)