Varheleyi: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave

Bruksel, 19 tetor 2021 – Komisioni Evropian e prezantoi të martën Raportin e Progresit për vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në fjalën e tij, ka thënë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave dhe ka kërkuar që vendet e Bashkimit Evropian të mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt, përpara fundit të këtij viti.

Ai ka thënë se kjo është shumë e frëndësishme për të ruajtur besueshmërinë në Bashkimin Evropian.

“Të dyja vendet i kanë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave dhe këtë duhet ta dinë dhe vendet e Bashkimit Evropian. Është thelbësore që Shtetet Anëtare të BE-së të përfundojnë diskutimet mbi Kornizat Negociuese pa vonesa të mëtejshme dhe që konferencat e para ndërqeveritare me të dy vendet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur dhe para fundit të këtij viti. Kjo është shumë e rëndësishme për të ruajtur besueshmërinë në Bashkimin Evropian”, ka thënë Varhelyi.

“Shtyrja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar një impakt negativ”, ka theksuar ai.

Varhelyi ka bërë thirrje që sa më  parë të zgjidhen mosmarrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, gjë që ka shkaktuar shtyrje të negociatave mes Brukselit dhe Shkupit.

(r.m.)