Beograd, 2 dhjetor 2022 – Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka thënë në Beograd se Serbia duhet t’i ndihmojë Bashkimit Evropian për të zbatuar sanksionet kundër Rusisë.
Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kemi nevojë që Serbia të jetë në anën tonë. Unë e kuptoj mesazhin e Vuçiqit se do të na ndihmojë që t’i zbatojmë sanksionet për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë Varhelyi.
Bashkimi Evropian ka miratuar disa pako me sanksione kundër Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë.
Megjithatë, Serbia, vend kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, nuk i është bashkuar BE-së, duke mos i vënë sanksione Moskës.
Varhelyi ka thënë se lufta në Ukrainë ndikon në anëtarësimin e Serbisë në BE.
Sipas tij, sundimi i ligjit është kusht shumë i rëndësishëm, por aq nuk mjafton.
“Koordinimi i politikës së jashtme ka rëndësi më shumë se kurrë më parë. Paqja dhe siguria e kontinentit tonë është sulmuar, prandaj na duhet Serbia, një shtet kandidat për anëtarësim që të na ndihmojë”, ka thënë ai.
Vuçiq ka thënë në konferencën e përbashkët për media se e kupton mesazhin e Varhelyit për harmonizim të politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së.
“Ne i kuptojmë shumë mirë deklaratat e Varhelyit, të cilat i ka bërë si mik, për harmonizim të politikës së jashtme”, ka shtuar Vuçiq”.
“Askush nuk mund t’iu shmanget sanksioneve kundër Rusisë përmes territorit të Serbisë, sepse ne nuk merremi me krim dhe nuk pasurohemi nga vuajtjet e askujt gjatë luftës”.
Rusia dhe Serbia gëzojnë marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën dhe bashkëpunojnë në fusha të ndryshme përfshirë, mbrojtjen, furnizimin me gaz, e të tjera.
(REL)