Vasfije Krasniqi Goodman: Dhimbja ime është pjesë e historisë sonë që duhet të dëgjohet

Prishtinë, 13 prill 2025 – Vasfije Krasniqi Goodman, e cila është bërë simbol dhe shembull për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka ndarë me publikun çastin e përmbysjes së botës së saj shpirtërore, më 14 prill 1999.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se atë ditë kishte ndryshuar përgjithmonë jeta e saj.

“14 prilli i vitit 1999 është një datë që nuk e shënoj vetëm në kujtesë, por në çdo qelizë të trupit tim. Atë ditë, jeta ime ndryshoi përgjithmonë. Para saj, frika ime më e madhe ishte vdekja – një e panjohur që më përndiqte në netët pa gjumë, në zhurmën e çdo shpërthimi, në ecjen e çdo ushtari serb që afroheshin gjithnjë e më shumë. Por pas 14 prillit, një frikë tjetër më e rëndë u ngulit në shpirtin tim: frika e dhunës, e përdhunimit – diçka që kurrë nuk e mendoja se do të më ndodhte, diçka që e kisha parë vetëm në rrëfimet e të tjerëve, e që mendova se do të më kalonte pranë pa më prekur. Por jo. Pas asaj dite, vdekja u bë një dëshirë, jo një frikë. E kërkova, e lutej zemra ime për të, sepse ndihesha e shkatërruar, e thyer në çdo formë të mundshme. Trupi im nuk ishte më i imi. Zëri im ishte heshtur, ndërsa bota kishte ndalur së dëgjuari. Dhe sërish, vdekja nuk erdhi. Jetova”, shkruan Krasniqi Goodman.

Ajo thotë se ka gjetur forcë të jetojë, ndonëse shumë herë kishte menduar të dorëzohej, ndoshta për të për të mbështetur viktimat tjera si ajo.

“Në errësirat e netëve të mia, kërkova arsye për të vazhduar, për të ngritur kokën, për të mos u rrëzuar përfundimisht. Dhe sërish, nuk e di nga vinte ajo forcë që më mbante gjallë. Ndoshta nga kujtimi i familjes, ndoshta nga shpresa se një ditë zëri im do të dëgjohej, ose ndoshta nga dëshira që askush tjetër të mos kalojë atë që unë kalova”, shkruan ajo.

Krasniqi Goodman, thotë se ka parë të mirën dhe të keqen në jetë, ka takuar njerëz që e kanë ndihmuar të ngrihet dhe të tjerë që e thyen pa mëshirë.

“Por sot, kur e kujtoj atë ditë, nuk jam më vetëm viktimë. Jam dëshmi. Jam një zë që mbijetoi dhe që nuk do të heshtë më. Sepse dhimbja ime është pjesë e historisë sonë, dhe ajo duhet të dëgjohet”, shkruan Vasfije Krasniqi Goodman, në 26 vjetorin e krimit makabër të kryer nga pjesëtarë të forcave serbe.

This image has an empty alt attribute; its file name is Vasfije-Krasniqi-postimi-640x400.jpg

(r.m.)

Comment

*