Prishtinë, 21 shtator 2022 – Vasfije Krasniqi-Goodman ka njoftuar se ka hequr dorë nga mandati i deputetes së Kuvendit të Kosovës, për arsye shëndetësore.
Krasniqi-Goodman, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi përmes rrjetit social Facebook, se ajo është duke kaluar nëpër një trajtim mjekësor, gjë që sipas saj, ia pamundëson realizimin e obligimeve të deputetes.
“Edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe Kryesinë e Kuvendit”, ka shkruar Krasniqi-Goodman.
Ajo ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin e saj publik për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç tha, në veçanti në Kongresin Amerikan.
“Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejti do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë”, ka shkruar ajo.
Vasfije Krasniqi – Goodman ishte ndër gratë e para në Kosovë që tregoi publikisht se ajo ishte dhunuar seksualisht nga forcat serbe në vitin 1999.
Vitet e fundit ajo ka qenë shumë aktive në përpjekjet për vendosjen e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale. Ajo ka punuar shumë në sensibilizimin e çështjes së përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte nga Serbia, sidomos në SHBA. Ajo e ka shpalosur historinë e saj dëshmuar edhe para Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Kongresit Amerikan.
“Gjithëçka që unë dua është drejtësia”, ka thënë ajo në mbyllje të rrëfimit të saj në Kongres.
Vasfije Krasniqi-Goodman u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare, në tëcilat mori pjesë si kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje.
(r.m.)