Prishtinë, 6 dhjetor 2022 – Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Vasfije Krasniqi – Goodman, përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.
Ajo tha se arsyetimi i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, është i duhur dhe u kërkoi krerëve të shtetit që ta përkrahin iniciativën për përfshirjen e secilit akt gjenocidal në njërën nga petalet e lulëkuqes.
“Në cilësinë e ish deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe si njëra nga viktimat që denoncoi publikisht dhunën seksuale që paraqet formë të gjenocidit që Serbia zbatoi mbi popullin tonë, kam marrë një kërkesë nga Qendrës ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur’ drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë. Dita-ditës njerëzve u bëhet e qartë se plani i Serbisë për gjenocid në Kosovë kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb dhe për realizimin e këtij qëllimi ata vranë shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive, dhunuan seksualisht mbi 20 mijë femra dhe meshkuj shqiptarë, dëbuan nga vatrat e tyre mbi një milion shqiptarë dhe shkatërruan mbi 100 mijë shtëpi, objekte arsimore, monumente kulturore dhe historike që lidhen me identitetin e shqiptarëve. Pasi e lexova me vëmendjen e duhur arsyetimin e Qendrës ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur’ për domosdoshmërinë që të kemi një logo të vetme që do të simbolizonte krimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përfshirjen e çdo forme të akteve gjenocidale në njërën nga petalet e lulëkuqes, vendosa t’ju bëj thirrje publike, në emrin tim personal dhe në emër të organizatës ‘Drejtësi Për Të Gjithë’ që ta përkrahni këtë iniciativë dhe të ndërmerrni të gjitha hapat e nevojshëm për zyrtarizmin e këtij simboli gjithëpërfshirës, si simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë”, thuhet në letrën e zonjës Vasfije Vasfije Krasniqi – Goodman.
(r.m.)