Vazhdojnë bisedimet në Bruksel, ende s’ka marrëveshje finale

Bruksel, 29 shtator 2021 – Në Bruksel po vazhdojnë ende bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me targat  e automjeteve.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se bisedimet për zgjidhjen e ngërçit në veri të Kosovës janë duke vazhduar.

Bisedimet janë duke u zhvilluar me ndërmjetësimin e të dërguarit  Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Dialogu: Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Miroslav Lajcak në Bruksel nuk ka përfunduar. Po vazhdojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano në Twitter.

Kryenegociatori i Kosovës, zëvendës-kryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar më herët se arritja e marrëveshjes është afër.

Bislimi ka thënë se sipas marrëveshjes, pritet që nga dita e hënë të vendosen stikersat në vend të targave, kurse më pas do të caktohet një grup punues për të gjetur zgjidhje të përhershme rreth çështjes së targave. Grupi punues do ta nisë punën më 21 tetor dhe duhet të gjerjënjë zgjidhje brenda gjashtë muajsh.

Po ashtu, Policia e Kosovës në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak pritet të zëvendësohet nga KFOR-i.

“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë: të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final që pothuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të japë dakordimin final. Marrëveshja i parasheh tri elemente. E para, nga dita e hënë, si Kosova ashtu edhe Serbia, do të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë, të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjidhjeje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave mes dy vendeve, brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare, në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat kufitare, e pas disa orëve do të zëvendsohej policia speciale. Paralelisht barrikadat do të largohen nga pikat kufitare”, ka thënë Bislimi.

Ai ka thënë se ka mbetur pezull vetëm marrëveshja për çështjen e targave të veturave me akronimin “KM”, të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me targat ‘KM’ për të cilat ata mendojnë se nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat. Kjo është absurde, për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit e tabelave ilegale”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se qëllim i reciprocitetit ka qenë trajtimi i barabartë dhe se targat kanë qenë mjet për ta detyruar Serbinë të heqë pengesat për lëvizjen e lirë  të qytetarëve të Kosovës.

“Për Kosovën është me rëndësi të promovohet liria e lëvizjes. Barrierat që i kemi vendosur me ndërrimin e tabelave nuk ka qenë dëshirë e jona, por ka qenë mjeti i vetëm me të cilin ne kemi tentuar ta detyrojmë Serbinë të largojë procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë”, ka thënë ai.

 

(r.m.)