Gaza, 18 maj 2021 – Izraeli kreu një valë sulmesh ajrore mbi, siç tha, militantët në Gaza, duke rrafshuar një ndërtesë gjashtëkatëshe, ndërsa militantët hodhën dhjetëra raketa në Izrael të martën. Palestinezët në gjithë rajonin filluan një grevë të përgjithshme pasi që lufta, tani në javën e saj të dytë, nuk po tregon shenja të zbutjes.
Goditjet e së martës rrënuan një ndërtesë ku ishte vendosur biblioteka dhe qendra arsimore që i përkisnin Universitetit Islamik, duke lënë pas një grumbull masiv të armaturave dhe pllakave të betonit. Tavolina, karrige, libra dhe copëza kompjuterësh mund të shiheshin në mbeturina. Banorët po kërkonin sendet e tyre nëpër rrënoja.
Izraeli paralajmëroi banorët e ndërtesës, të cilët u larguan në errësirën para agimit. Nuk pati raportime për viktima.
Që nga fillimi i luftimeve më 10 maj, të paktën 200 palestinezë janë vrarë, përfshirë të paktën 59 fëmijë dhe 35 gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gaza. Të paktën 10 izraelitë janë vrarë në sulmet me raketa, duke përfshirë një fëmijë 6-vjeçar.
Palestinezët në Izrael, Jerusalem dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, filluan një grevë të përgjithshme të martën për të protestuar kundër luftës në Gaza dhe politikave izraelite, që shumë aktivistë dhe disa grupe të të drejtave të njeriut thonë se përbëjnë një sistem gjithëpërfshirës të aparteidit, që u mohon palestinezëve të drejtat që gëzojnë hebrenjtë. Izraeli e kundërshton këtë vlerësim duke thënë se qytetarët e tij kanë të drejta të barabarta. Ai fajëson Hamasin, grupin militant islamik që kontrollon Gazën dhe e akuzon atë për nxitje të dhunës në të gjithë rajonin.
Zhvillimet kanë nxitur shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe përpjekje diplomatike për të ndaluar dhunën.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, po zhvillon bisedime të martën me ministrat e jashtëm të BE-së për të diskutuar shtendosjen e konfliktit.
Zyrtarët amerikanë folën në lidhje me përpjekjet për të punuar në prapaskenë për të qetësuar situatën, përfshirë bashkërendimin me vendet e tjera në rajon.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, shprehu të hënën në një telefonatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, mbështetjen e për një armëpushim në luftimet midis Izraelit dhe militantëve palestinezë, tha Shtëpia e Bardhë.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë mbi telefonatën nuk i referohej ndonjë përgjigjeje nga ana e zotit Netanyahu ndaj komentit të Presidentit Joe Biden për armëpushim.
“Presidenti shprehu mbështetjen për një armëpushim dhe diskutoi mbi angazhimin e SHBA me Egjiptin dhe partnerë të tjerë drejt këtij qëllimi,” tha Shtëpia e Bardhë.
Zoti Biden “inkurajoi Izraelin të bëjë çdo përpjekje për të siguruar mbrojtjen e civilëve të pafajshëm,” tha Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti përsëriti mbështetjen e tij të vendosur për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet e raketave,” vazhdon deklarata.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ai do të bisedojë me kryeministrin Netanyahu në ditët në vijim dhe bëri thirrje për një armëpushim “sa më të shpejtë që është e mundur”. Ai shtoi se Franca po mbështet ndërmjetësimin e Egjiptit në konflikt, i cili ka luajtur rol thelbësor në përfundimin e raundeve të mëparshme të luftimeve midis Izraelit dhe militantëve palestinezë.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se foli të hënën me kryeministrin Netanyahu dhe i shprehu mbështetjen e saj për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se 38 mijë palestinezë janë zhvendosur në Gaza nga sulmet ajrore izraelite dhe më shumë se 2 mijë e 500 kanë mbetur pa strehë.
Gjithashtu të hënën, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Volkan Bozkir, tha se asambleja 193 anëtarëshe do të mblidhet të enjten për të diskutuar situatën me kërkesë të Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe Ligës Arabe.
(Zëri i Amerikës)