Vazhdojnë përleshjet, Izraeli synon të evakuojë banorët afër Gazës

Gaza, 8 tetor 2023 – Ushtria izraelite tha më 8 tetor se synon të evakuojë të gjithë izraelitët që jetojnë afër Rripit të Gazës brenda 24 orëve, përderisa ka dislokuar mijëra luftëtarë për t’u përballur me militantët e Hamasit, që janë infiltruar brenda Izraelit.
“Misioni ynë është që në 24 orët e ardhshme të evakuojmë të gjithë banorët që jetojnë rreth Gazës”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, duke shtuar se luftimet po vazhdojnë për të “shpëtuar pengjet” që po mbahen nga militantët.
“Ka dhjetëra mijëra ushtarë në zonë. Ne do të arrijmë te secili komunitet derisa të vrasim të gjithë terroristët në Izrael”, tha ai për gazetarët.
Grupi palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.
Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.
Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të artilerisë në Liban dhe përmes një sulmi me dron ndaj një pike të kontrollit të Hezbillahut pranë kufirit, tha ushtria. Nuk ka raportime për viktima nga këto sulme.
Inkursioni nga Gaza në jug të Izraelit – që është më i madhi në dekada – mund të minojë përpjekjet që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara për bashkimin e rajonit sa i përket sigurisë dhe mund të kërcënojë aspiratat palestineze për shtetësi dhe ambiciet e mbështetësit kryesor të Hamasit, Iranit.
Luftëtarët e Hamasit nisën sulmin e tyre mëngjesin e 7 tetorit duke goditur me breshëri raketash jugun e Izraelit. Sulmet me raketa iu mundësuan luftëtarëve të grupit të infiltrohen në Izrael nga Gaza – një rrip toke që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.
Gjatë luftimeve të shtunën dhe në orët e para të së dielës, luftëtarët e Hamasit kanë vrarë të paktën 250 izraelitë dhe kanë marrë pengje në Gaza dhjetëra persona. Mbi 250 persona në Gaza u vranë pasi Izraeli kreu sulme hakmarrëse.
“Ne do të hakmerremi për këtë ditë”, tha të shtunën kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ai po ashtu ka paralajmëruar se i pret një “luftë e gjatë dhe e vështirë” kundër Hamasit.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se operacionet po vazhdojnë të dielën në tetë zona përreth Gazës, ndërkaq televizioni Al Hadath citoi Gjysmëhënën e Kuqe palestineze të ketë thënë se 18 persona janë vrarë pasi Izraeli shënjestroi dy shtëpi në qarkun Beit Hanun të Gazës.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se 20 fëmijë janë në mesin e 313 civilëve të vrarë. Po ashtu, ata raportuan për pothuajse 1.800 persona të plagosur.
Në veri, Hezbollahu – që mbështetet nga Irani – tha përmes një deklarate se kreu një sulm me raketë dhe artileri në tri caqe, përfshirë një pikë ku ishte vendosur një radar në fermat Sheba të pushtuar nga Izraeli. Kjo copë toke është pushtuar nga Izraeli më 1967 dhe Libani pretendon se i përket atij.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulm artilerie në jug të Libanit.
Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se sulmi që nisi në Gaza do të përhapet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem. Banorët në Gaza po përballen qe 16 vjet me një bllokadë izraelite.
Gjatë fjalimit, Haniyeh përmendi kërcënimet ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, bllokadën e vazhdueshme izraelite në Gaza dhe normalizimin e raporteve mes Izraelit dhe shteteve të rajonit.
“Sa herë iu kemi paralajmëruar se populli palestinez po jeton në kampe të refugjatëve për 75 vjet, dhe ju keni refuzuar që të njihni të drejtat e popullit tonë?”, tha ai.
Zyra e Netanyahut tha se kabineti i tij i sigurisë ka miratuar hapat për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe Xhihadit Islamik – një tjetër grup militant – “për vite të tëra” përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike, furnizimeve me karburante dhe dërgimin e mallrave për në Gaza.
Autoriteti Palestinez të dielën dorëzoi kërkesë për një mbledhje urgjente të ministrave të Jashtëm të Ligës Arabe.
Kërkesa për mbledhje vjen në kohën e “agresionit të vazhdueshëm dhe brutal të Izraelit kundër popullit palestinez, përfshirë edhe përshkallëzimin nga hyrja në xhaminë Al-Aksa të mijëra kolonëve”, tha Muhannad Al Alkouk, ambasador në Ligën Arabe.
Pas nisjes së sulmit masiv të Hamasit, shtetet në mbarë botën i ofruan mbështetje Izraelit dhe theksuan se ai ka të drejtë të mbrojë veten. Presidenti amerikan, Joe Biden, po ashtu paralajmëroi shtetet e tjera që janë “palë armiqësore e Izraelit” që të mos tentojnë që të shfrytëzojnë situatën.
“Bota po shikon”, tha Biden gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë.
Në mbarë Lindjen e Mesme ka pasur edhe demonstrata në mbështetje të Hamasit, me flamujt e Izraelit dhe SHBA-së që janë djegur në Irak, Liban, Siri dhe Jemen. Ndërkaq, Irani dhe Hezbollahu kanë përgëzuar Hamasin për sulmin.
Zëvendësshefi i Hamasit, Saleh al-Arouri, tha se grupi ka kapur një numër të madh robërish izraelitë, përfshirë zyrtarë të lartë. Ai tha se Hamasi ka mjaft pengje sa të detyrojë Izraelin që të lirojë të gjithë palestinezët që janë në burgje.
Hamasi ka argumentuar se sulmi është kryer për shkak të, siç ka thënë, përshkallëzimit të sulmeve izraelite ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem.
(REL)