Nju Jork, 18 dhjetor 2023 – Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mund të votojë të hënën lidhur me një rezolutë që bën thirrje për armëpushim në Rripin e Gazës. Armëpushimi do të krijonte kushte të sigurta për dërgimin e ndihmave humanitare për popullsinë palestineze që gjendet në kushte të mjerueshme.
Kamionët e ndihmave humanitare janë futur në Gazë ndërsa javën e kaluar Izraeli hapi një vendkalim tjetër për hyrjen e ndihmave, por agjencia humanitare e OKB-së tha se 121 kamionë që u futën në Gazë të shtunën ishin shumë më pak se 500 kamionë në ditë që dërgonin ndihma në Gazë para luftës.
Në fillim të muajit Shtetet e Bashkuara i vunë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit që bënte thirrje për një armëpushim humanitar. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli argumentuan se Hamasi do të përfitonte nga vendosja e një armëpushimi.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbështeti me shumicë dërrmuese një rezolutë të ngjashme pak më vonë, por rezolutat e saj nuk janë detyruese.
Gjatë një vizite në Izrael të dielën, Ministrja e Jashtme e Francës Catherine Colonna bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm që synon lirimin e më shumë pengjeve, dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë dhe kalimin drejt fillimit të një zgjidhje politike.
“Mbi të gjitha….. ne duhet të punojmë seriozisht për të ndërtuar një shtet për palestinezët. Jo nesër, jo pasnesër, por tani. Ky shtet duhet t’u shërbejë aspiratave legjitime palestineze. Palestinezët gëzojnë të drejtën e një shtetit. Izraeli ka të drejtën e sigurisë, të njihet si shtet pa u përballur me thirrjet e vazhdueshme për shkatërrimin e tij. Siç ka thënë presidenti francez, duhet të garantohet e drejta e paqes dhe e sigurisë për të gjithë”.
Izraeli është zotuar ta eliminojë Hamasin, i cili qeveris Gazën, pas sulmit terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 persona dhe marrë peng rreth 240 të tjerë.
Hamasi, i cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera, ka liruar disa pengje në shkëmbim të lirimit të ndaluarve palestinez nga Izraeli.
Ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 18,700 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Shifrat nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë thotë se konflikti ka detyruar zhvendosjen e rreth 85% të popullsisë së Gazës, me shumë prej tyre duke u përpjekur të gjejnë një vend të sigurt për të qëndruar në strehimoret e OKB-së në Gazën jugore, të cilat në disa raste i kalojnë kapacitetet e tyre.
(Zëri i Amerikës)