Vazhdon hetimi për shkaqet e aksidentit tragjik në Bullgari

Shkup, 24 nëntor 2021 – Organet hetuese të Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut po zhvillojnë hetime intensive lidhur me shkaqet e aksidentit tragjik që ndodhi të martën, në autostradën “Struma”, në afërsi të Sofjes.

Në këtë aksident e humbën jetën 46 udhëtarë të autobusit të kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, i cili u dogj në rrugë. Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë nën 18 vjeç.

Prokuroria publike e Maqedonisë bëri të ditur se po shqyrtohen dy versione si shkaktarë të mundshëm të tragjedisë: gjendja teknike e autobusit dhe ndonjë gabim eventual i shoferit.

Por, ka edhe dyshime se në autobus mund të jetë transportuar lëndë djegëse, sepse zjarri ka shpërthyer në pjesën e përparme të autobusit.

Hetimi duhet të përcaktojë nëse shpërthimi është shkaktuar nga nafta që ishte vendosur në pjesën e përparme të autobusit apo nga ndonjë lëndë tjetër shpërthyese.

Sidoqoftë, të gjitha këto dyshime duhet të hulumtohen dhe të argumentohen nga organet hetimore.

Fillimisht, hetuesit bullgarë duhet të përcaktojnë pse shoferi e humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Që që shkaktoi shpërthimin në pjesën e përparme të autobusit.

Ekspertët bullgarë thanë se hetimi do të zgjasin gjashtë muaj.

“Dua të siguroj kolegët e mi nga Maqedonia e Veriut se Prokuroria Publike e Bullgarisë do të bëjë çdo përpjekje për të kryer hetim të shpejtë, objektiv dhe efektiv, për të përcaktuar arsyet e këtij incidenti të rëndë”, ka deklaruar Sijka Mileva nga Prokuroria Publike e Bullgarisë.

Në Sofje po qëndron edhe Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski. Ai tha se dy prokuroritë do të bashkëpunojnë ngushtë midis tyre për ndriçimin e rastit. Ai ka  theksuar se nuk do të ketë hetim paralel në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në Maqedoninë e Veriut ka gjetur autobusi i aksidentuar nuk gjendej në listën e autobusëve të licensuar të kompanisë “Besa Trans”.

Ministri Blagoja Boçvarski ka thënë se është konstatuar që kompania i kishte regjistruar katër automjete me leje transporti ndërkombëtar, por autobusi i aksidentuar nuk gjendej në regjistrin e ministrisë.

“Pas kontrolleve në polici kemi konstatuar se autobusi i djegur nuk është raportuar dhe nuk gjendet në bazën elektronike të të dhënave të Ministrisë së Transportit dhe Lidhgjeve. Pra,  transporti është kryer pa çertifikatë për atë automjet”, tha Boçvarski.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me drejtorin e spitalit “Pirogov” në Sofje, ku po trajtohen shtatë udhëtarë që e kanë mbijetuar aksidentin.

“Të gjithë pacientët janë në gjendje të qëndrueshme dhe nën mbikqyrje të vazhdueshme mjekësore. Atyre po u jepet edhe mbështetje psikologjike. Dy paciente i janë nënshtruar operacionit”, tha Filipçe.

Ai tha se të shtatë pacientët do të qëndrojnë në spitalin e Sofjes deri të premten, kur do të transferohen në Shkup.

(r.m.)