Monedha e përbashkët ka vijuar me nënçmimin e fortë edhe në dy ditët e para të kësaj jave
Monedha e përbashkët ka vijuar me nënçmimin e fortë edhe në dy ditët e para të kësaj jave. Të martën, një euro u këmbye me 121.23 lekë, shkruan “Monitor”.
Që nga fillimi i gushtit, monedha e përbashkët ka humbur 0.43 lekë. Ky është niveli më i ulët në gati dy vjet, që nga shtatori i vitit 2019.
Sipas aktorëve të tregut, arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhet me efektet sezonale, që këtë vit janë më të forta sesa në verën e kaluar (kur vendi po vuante pasojat e pandemisë) për shkak të gjallërimit të turizmit.
Hyrjet e shtuara të turistëve të huaj dhe të emigrantëve (porti i Durrësit ka pasur trafik të rënduar ditët e fundit) kanë rritur ofertën për valutë në treg, duke ndikuar në nënçmimin e fortë të euros.
Këtyre u shtohen dhe faktorë të tjerë në kahun e ofertës, si valuta që hyn në mënyrë informale.
Në të kundërt, në kahun e kërkesës ka një tërheqje të dobët të valutave, duke ushtruar më shumë presion për nënçmimin e monedhës së përbashkët.
Euro ndërkohë është e dobët edhe në bursat ndërkombëtare. Të martën, një euro u këmbye me 1.17 dollarë, niveli më i ulët që nga muaji prill, për shkak të pasigurive që ka sjellë në ekonominë një valë tjetër e virusit, ndërsa dollari u ndihmua nga pritshmëritë se Rezerva federale do të nisë një program të blerjes së obligacioneve.
Edhe në tregun e brendshëm dollari ishte me rritje duke u këmbyer të martën me 103.39 lekë, 0.23 lekë më shumë se një ditë më parë.