“Vdekje shqiptarëve! Kosova është Serbi!” në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc

Bujanoc, 19 gusht 2024 – “Vdekje shqiptarëve. Nuk ju duam. Kosova është Serbi”.

Ky është mbishkrimi në gjuhën serbe, me alfabetin cirilik, që është vendosur të hënën në mëngjes, në hyrje të repartit për fëmijë në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, i cili e ka publikuar lajmin, ka thënë se kjo tregon për përmasat e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në Luginë, për të cilët përdoret edhe termi denigrues “shiptari”.

“Nuk është rastësi, por një përshkallëzim i qëllimshëm i gjuhës së urrejtjes, që vjen pas grafiteve të ngjashme të shkruara në oborrin e po këtij institucioni pak ditë më parë”, ka shkruar Mustafi në Facebook.

Mustafi ka thënë se kjo klimë e urrejtjes nxitet edhe nga zyrtarët shteëtërorë të cilët përditë bëjnë deklarata kundër shqiptarëve.

“Siç është Nenad Mitroviqi, drejtori i Trupit Koordinues për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, i cili në një intervistë për InformerTV akuzoi se Shaipi, Ardita e Ragmiu [Shaip Kamberi, Ardita Sinani d Rahmi Mustafi] ‘po zbatojnë urdhra për të destabilizuar situatën në jug të Serbisë…’ me qëllim ‘dëbimin e serbëve nga këto komuna…’. Po ashtu, Sekretari Shtetëror dhe i besuari i Vuçiq, Dragan Stevanoviq – Bocki, përçmoi kërkesat e shqiptarëve duke na thënë të ‘mësojmë nga shembulli i Presidentit Vuçiq’”, ka shkruar Mustafi.

Ai e konsideron eskalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve si përgatitje për masa repressive ndaj shqiptarëve në Luginë.

“Kjo situatë nuk është asgjë tjetër veçse një përgatitje për veprime represive të ardhshme ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Mustafi.

 (r.m.)