Vdes Fazli Veseli, babai i Kadri Veselit

Prishtinë, 7 korrik 2021 – Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka vdekur sot. I ndjeri ishte në gjendje të rëndë shëndetësore qe disa muaj.

Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij.

Kadri Veseli, i cili gjendet në paraburgim në Hagës, e kishte takuar babain e tij për herë të fundit në maj të këtij viti. Ai ishte lejuar të vinte disa ditë në Kosovë që ta vizitonte babain e tij që ishte i sëmurë rëndë.

Menjëherë pas arritjes në Kosovë, Veseli e kishte vizituar babain në spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.

Pas vizitës disa-ditëshe, Veseli ishte kthyer përsëri në paraburgim në Hagë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është solidarizuar me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe gjithë familjen Veseli për vdekjen e Fazliut.  

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për vdekjen e Fazli Veselit, babait të kryetarit Kadri Veseli.

Baca Fazli ishte një burrë që gjatë gati një shekulli jetë, secilën ditë ia kushtoi Kosovës.

Si baba, ai rriti dhe edukoi të gjithë fëmijët e tij në frymën atdhetare.

Si shqiptar, sakrifikoi dhe dha gjithçka nga vetja për lirinë e vendit tonë.

Prandaj, sot, mendjet dhe zemrat tona janë pranë kryetarit Veseli në Hagë dhe familjes Veseli në Mitrovicë.

Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella.

Pusho i qetë, Baca Fazli!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Familjes Veseli i kanë përcjellë mesazhe ngushëllimi krerët e institucioneve shtetërore dhe të partive politike të Kosovës.

(r.m.)