Vdes Gjenerali Klaus Reinhardt, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë

Prishtinë, 2 dhjetor 2021 – Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkruar për ndarjen nga jeta të Gjeneralit Klaus Reinhardt, komandantit të parë të trupave të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Si komandant i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë, Gjenerali Reinhardt ka dhënë një kontribut vendimtar në kthimin gradual të Republikës së Kosovës në një jetë normale, civile dhe në rindërtimin e vendit pas një lufte të tmerrshme dhe përballjes me gjenocid”, ka shkruar ajo.

Ministrja Gërvalla u ka shprehur ngushwllime familjes dhe miqve të Gjeneralit Reinhardt, si edhe ushtrisë dhe autoriteteve shtetërore të Gjermanisë.

Postimi i saj i plotë:

Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin që është ndarë nga jeta Gjenerali Klaus Reinhardt.

Si komandant i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë, Gjenerali Reinhardt ka dhënë një kontribut vendimtar në kthimin gradual të Republikës së Kosovës në një jetë normale, civile dhe në rindërtimin e vendit pas një lufte të tmerrshme dhe përballjes me gjenocid.

Krahas mbrojtjes së popullsisë, vendosjes dhe ruajtjes së paqes në Kosovë, roli i Gjeneralit Reinhardt ishte vendimtar edhe në dhënien e impulseve të shumta dhe të rëndësishme për rindërtimin e shtëpive private dhe institucioneve publike si dhe në ringritjen e institucioneve civile.

Me shërbimin dhe udhëheqjen e tij, ai ka dhënë një kontribut shumë të çmuar jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendin e tij, Gjermaninë dhe me të drejtë ka zënë një vend të paëvendësueshëm në kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës.

I jemi mirënjohës për jetë Gjeneralit Klaus Reinhard, i cili Kosovën e pati gjithnjë në zemër dhe do të mbetet gjithnjë në zemrat tona.

Familjes dhe miqve të tij, ushtrisë gjermane, në të cilën i shërbeu kaq gjatë vendit të tij, Gjermanisë, iu shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.

(r.m.)