Vdes ish-kryeministri i Shqipërisë, Bashkim Fino

Tiranë, 29 mars 2021 – Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti socialist, Bashkim Fino ka vdekur në moshën 59 vjeçare, pasi ishte diagnostifikuar me sëmundjen COVID-19.

Gjendja tij shëndetësore ishte përkeqësuar, ditët e fundit.

Fino ka qenë kryeministër i Shqipërisë në periudhën mars -korrik të vitit 1997. Ishte kjo koha kur në Shqipëri u formua Qeveria e Pajtimit Kombëtar, pas trazirave që u shkaktuan nga rënia e skemave piramidale.
Fino ka mbajtur edhe pozita të tjera të larta qeveritare. Një mandate ka qenë zëvendëskryeministër dhe trimandate të tjera ka mbajtur pozita ministrore.
Qeveria e Shqipërisë shpalli sot Ditë Zie kombëtare në nderim të Finos.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu pikëllimin për vdekjen e Finos dhe njoftoi se aktivitetet e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të pezullohen.
“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”, shkruan Rama në Facebook.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook shprehu tronditjen për vdekjen e ish-kryeministrit Bashkim Fino, të cilin e quajti “politikan të moderuar”.
“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë!”, ka shkruar presidenti Meta.
(r.m.)