Vdes në paraburgim britaniku i kapur rob nga separatistët pro-rusë në Ukrainë

Londër ,15 korrik 2022 – Shtetasi britanik Paul Urey, punonjës humanitar, i cili u kap rob nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë, ka vdekur në paraburgim, raportojnë mediet.

Mbretëria e Bashkuar tha se nga Ukraina dhe nga qeveria ruse po kërkon sqarime urgjente mbi shkakun e vdekjes së Ureyt.

“Ne po e ngremë urgjentisht këtë me aleatët tanë ukrainas dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë”, tha zyra e Ministrisë së Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me familjen”, theksohet në njoftim.

Urey, nga Warrington, Cheshire, u arrestua në një pikë kontrolli pranë qytetit juglindor të Zaporizhias, në muajin prill, dhe u akuzua si mercenar.

Ai u mbajt rob në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donjeckut (DPR), së bashku me një person tjetër, Dylan Healy, derisa po përpiqej të shpëtonte një grua dhe familjen e saj që ishin bllokuar nga luftimet.

Një përfaqësues i separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore ka deklaruar më 15 korrik se britaniku Paul Urey kishte vdekur në paraburgim, në fillim tw javës.

“Ai vdiq më 10 korrik,” ka thënë përmes rrjetit “Telegram” Darya Morozova, përfaqësuese e një grupi separatist në Donjeck.

Ajo ka thënë se 45-vjeçari ka vdekur “për shkak të sëmundjes dhe stresit”.

Morozova ka thënë se Urey vuante edhe nga diabeti, një pretendim ky që nuk mund të konfirmohej menjëherë.

Urey u kap rob në muajin prill nga forcat separatist, në mesin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Kapja e tij u konfirmua edhe nga një television rus që shfate marrjen në pyetje të tij, derisa po mbahej në pranga.

Organizatat joqeveritare dhe kolegët e tij e kanë përshkruar Ureyn si një punonjës humanitar. Ndërkaq, ushtarët separatist që mbështeten nga Rusia e kanë përshkruar si ushtar “profesionist” dhe e kanë akuzuar për “veprimtari mercenare”.

Në muajin maj, familjarët e Ureyt kanë thënë se po përgatiteshin “për më të keqen”.

(REL)