Vdes regjisorja Burbuqe Berisha

Prishtinë, 27 tetor 2021 – Ka vdekur në moshën 51-vjeçare regjisorja Burbuqe Berisha.

E ndjera Berisha ka lindur në Shkup. Studimet themelore dhe master i ka mbaruar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, , dega Regji e Filmit.

Ajo është autore e një numri të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, si edhe e filmave dokumentarë, serialeve televizive dhe shfaqjeve teatrore.

Burbuqe Berisha është fituese e disa shpërblimeve të festivaleve ndërkombëtare të filmit dhe teatrit. Në vitin 2019 ishte fituese e Çmimit Kombëtar për Kinematografi.

Disa nga realizimet e saj janë: “Lexi në qytet” (serial me 10 episode), “Ashensori”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000” etj. Nga filmat e saj dokumentarë shquhen: “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, etj.

Katër vjet ka qenë drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pastaj ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe kryetare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Vitet e fundit ka qenë ligjëruese në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB, në lëndëve: Film Dokumentar, Regji televizive, Regji për film, teatër dhe televizion.

Burbuqe Berisha ka qenë edhe drejtoreshë artistike e festivalit “Prishtina Internacional Theater Festival”.

Ajo ka qenë anëtare e jurive profesionale në shumë festivale filmash me karakter ndërkombëtar dhe aktiviste e fushatave bamirëse.

(r.m.)