Moskë, 23 gusht 2023 – Një avion privat me dhjetë persona në bord – në mesin e të cilëve raportohet të ketë qenë edhe shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, u rrëzua në veri të Moskës, njoftoi Ministria ruse e Emergjencave.
“Avioni privat, Embraer Legacy, u rrëzua jashtë lokalitetit të populluar, Kuzhenkino, në rajonin Tver. Dhjetë persona, përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit, ishin në bord. Sipas raporteve paraprake, të gjithë humbën jetën”, tha shërbimi për shtyp i Ministrisë.
Agjencia Federale për Transportin Ajror të Rusisë – Rosaviatsiya – shtoi se në listën e pasagjerëve ishte edhe emri dhe mbiemri i Yevgeny Prigozhinit.
Avioni raportohet se i përkiste grupit të tij mercenar, Wagner.
Sipas agjencisë së lajmeve TASS, ai po fluturonte nga Moska në Shën Petersburg.
Një kanal në Telegram, i njohur si Gray Zone dhe i lidhur me Wagnerin, raportoi se avioni u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, në veri të Moskës.
Megjithatë, zyrtarët nuk i komentuan arsyet e mundshme të incidentit.
Rosaviatsiya tha se hetimet tashmë kanë nisur.
Dikur aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër forcave të armatosura ruse në muajin në qershor.
Prigozhin nuk u arrestua apo ndalua në atë kohë, por Putin e cilësoi kryengritjen si “thikë pas shpine” dhe u zotua se do t’i ndëshkojë të gjithë “tradhtarët” e përfshirë.
Nga ajo kohë, vendndodhja e shefit të Wagnerit ishte kryesisht e panjohur. Ai u shfaq në videon e tij të parë që nga rebelimi në fillim të kësaj jave. Në pamjet e xhiruara, me sa dukej në Afrikë, të publikuara më 21 gusht në Telegram, Prigozhin u pa duke qëndruar në një shkretëtirë dhe me një pushkë në duar.
Lajmi po përditësohet.
(REL)