Vdes shkrimtari çek Milan Kundera

Pragë, 12 korrik 2023 – Shkrimtari çek Milan Kundera, autor i romanit të famshëm “Lehtësia e padurueshme e qenies”, vdiq në moshën 94-vjeçare.

“Fatkeqësisht, mund të konfirmoj se Kundera vdiq dje (e martë, 11 korrik) pas një sëmundjeje të gjatë”, tha Ana Mrazova, zëdhënëse e Bibliotekës “Milan Kundera” në vendlindjen e tij, Bërno të Republikës Çeke.

Duke u larguar nga atdheu për në Francë në vitin 1975, pasi më parë u përjashtua nga Partia Komuniste Çekosllovake për “veprimtari antikomuniste”, Kundera i kaloi 40 vjet duke jetuar në mërgim në Paris, pasi iu hoq shtetësia çeke në vitin 1979.

Atje ai shkroi veprat e tij më të famshme, si romanin “Lehtësia e padurueshme e qenies”, ndërsa më vonë shkroi në gjuhën frënge, duke filluar me romanin “Ngadalësia” të vitit 1995 e deri te romani i tij i fundit, “Festivali i Papërfillshmërisë”, i vitit 2014.

I lindur më 1 prill të vitit 1929, Kundera studioi muzikë, përpara se të fillonte të shkruante, por më pas u bë pedagog i letërsisë botërore në Akademinë e Filmit në Pragë, në vitin 1952.

Në rininë e tij, Kundera ishte anëtar entuziast i Partisë Komuniste, por u përjashtua nga partia dy here. Në vitin 1950 u përjashtua për “aktivitete antikomuniste”, kurse në vitin 1970, gjatë shtypjes që pasoi Pranverën e Pragës të vitit 1968, si njëri nga zërat kryesorë që bëri thirrje publike për lirinë e fjalës dhe për të drejta të barabarta për të gjithë.

Romani i tij i parë, “Shakaja”, i vitit 1967, u frymëzua nga kjo periudhë dhe u bë libër shumë i suksesshëm.

Në një profil të vitit 1985, të shkruar nga shkrimtarja Olga Carlisle, i cili është ndër profilet më të gjata dhe më të detajuara të jetës së tij në Paris, Kundera kishte thënë:

“Për mua, pakujdesia është një mëkat i madh. Jetojmë në një epokë kur jeta private po shkatërrohet. Policia e shkatërron atë në vendet komuniste, gazetarët e kërcënojnë në vendet demokratike dhe, pak nga pak, vetë njerëzit e humbasin shijen për jetën private dhe ndjenjën për të”.

“Jeta kur njeriu nuk mund të fshihet nga sytë e të tjerëve – ky është ferri”, kishte thënë ai.

Kundera e eksploroi për gjysmë shekulli qenien dhe tradhtinë në poezitë, dramat, esetë dhe romanet e tij.

(REL)