Vdes Tina Kaidanow, ambasadorja e parë amerikane në Kosovë

Uashington, 17 tetor 2024 – Diplomatja amerikane Tina Kaidanow që shërbeu si ambasadorja e parë e Shteteve të Bashkuara në Kosovën e pavarur, vdiq të mërkurën, në moshën 59 vjeçare.

Ambasadorja Kaidanow ishte emëruar në muajin korrik të vitit 2006 në postin e shefes së Zyrës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, zonja Kaidanow u emërua ambasadore. Me 8 prill të vitit 2008, Zyra Amerikane u shndërrua në ambasadë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Udhëheqës të institucioneve dhe partive politike në Kosovë shprehën ngushëllime për vdekjen e diplomates amerikane.

Ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, shkroi në rrjetet sociale se ambasadorja Kaidanow “erdhi më parë si udhëheqëse e Zyrës së SHBA-ve në Kosovë në kohët më të ndjeshme që kishim, kur kishim të bëjmë me procesin e bisedimeve për statusin politik të Kosovës”. Ai shtoi se zonja Kaidanow gjatë mandatit ka ndihmuar dhe përkrahur Kosovën për të arritur qëllimin e shpalljes së pavarësisë së saj.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se ambasadorja Kaidanow ishte një udhëheqëse e guximshme që luajti një rol të thellë në shumë ngjarje kritike dhe historike para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Pata nderin të punoja ngushtë me të dhe mësova shumë nga mençuria dhe përkushtimi i saj”, shkroi presidentja.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, tha se roli dhe kontributi i ambasadores Kaidanow, posaçërisht në procesin e shtetformimit të Kosovës, ka qenë i pazëvendësueshëm. “Me vdekjen e saj, SHBA-të humbën një diplomate të veçantë, e Kosova një aleate të përhershme. Lamtumirë, mike e mire”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj shkroi se ambasadorja Kaidanow luajti rol të fuqishëm në procesin e pavarësimit të Kosovës. “Shërbimi i saj si Ambasadorja e parë e SHBA-së në Kosovën e pavarur dhe kontributi i saj për vendin tonë do të mbeten përjetësisht në kujtesën tone”, shkroi ai.

(Zëri i Amerikës)