Beograd, 23 gusht 2022 – Nënkryetari i Kuvendit të Serbisë, njëherësh gjenerali në pension, Bozhidar Deliq, ka vdekur në moshën 67-vjeçare, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga institucioni ligjvënës.
Shoqata e Veteranëve të Brigadës së Motorizuar 549, njoftoi se Deliq vdiq pas një sëmundjeje të gjatë. Ai u tha se vdiq në Moskë të Rusisë, ku kishte shkuar për trajtim mjekësor.
Deliq ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë më 2 gusht të këtij viti.
Në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit, ai kishte udhëhequr listën NADA (Shpresa).
Deliq u lind në fshatin Lugbunar të Gjakovës më 8 janar 1956.
Ai ishte shef i shtabit të Brigadës së Motorizuar 715 të Ushtrisë së Republikës Sërpska gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Më pas ai u bë komandat i Brigadës së Motorizuar 549 gjatë luftës në Kosovë.
Në periudhën 2002-2005, ai ishte pjesëtar i Drejtorisë Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe të Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ai u pensionua nga karriera ushtarake më 2005.
Si dëshmitar i mbrojtjes, ai dha dëshmi para Tribunalit të Hagës në gjykimin kundër ish-presidentit jugosllav, Slobodan Millosheviq dhe gjeneralit Vladimir Lazareviq.
Deliq ishte pjesëtar i Partisë Radikale Serbe, lideri i së cilës, Vojslav Sheshel u dënua nga Tribunali i Hagës.
Më pas, më 2008 ai iu bashkua Partisë Përparimtare Serbe, që aktualisht është në pushtet në Serbi. Megjithatë, më 2011 u kthye të radikalët, por më 2020 u largua sërish nga partia e Sheshelit.
Më 16 gusht, Shoqata për krimet e luftës “Gjakova 98-99”, dorëzoi kallëzim penal kundër Deliqit në sektorin e krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Shkëndije Hoda, përfaqësuese e kësaj organizate, tha se kanë mbledhur dëshmi civile për, siç tha ajo, krime që dyshohej se Deliq i kishte kryer ndaj civilëve shqiptarë në luftën e fundit në Kosovë.
Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, kishte dorëzuar dy kallëzime penale për krimet e dyshuara në Kosovë, por autoritetet serbe asnjëherë nuk sollën para drejtësisë Bozhidar Deliqin.
Në kallëzimet penale të dorëzuar nga Fondi, bëhej fjalë për krimet e dyshuara të kryera ndaj popullatës civile në Tërnje dhe Landovicë të Kosovës.
Pasi Deliq ishte zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, kishte reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani kishte thënë se Deliq ishte komandat i një brigade ushtarësh “që masakruan mijëra kosovarë”.
(REL)