Prishtinë, 9 maj 2022 – Ka vdekur të hënën Xhevdet Peci, ish boksier i klubit “Prishtina”, një prej boksierëve të brezit të artë të boksierëve të Kosovës.
Për vdekjen e Pecit ka njoftuar Mehmet Bogujevci, ish-boksier i të njëjtit brez të boksierëve të Prishtinës, kampionë të shumëfishtë të boksit në ish-Jugosllavi.
Peci, i cili vitet e fundit ka jetuar në SHBA, ka qenë njëri prej boksierëve më të suksesshëm të Kosovës në kategorinë e rëndë.
Ai ishte i lindur në Mitrovicë në vitin 1955, ndërsa karrierën e boksierit e kishte nisur në klubin e boksit “Akumulatori” të Mitrovicës, prej nga ishte transferuar në klubin e boksit “Prishtina” që udhëhiqej nga trajneri i mirënjohur, Lah Nimani.
Me konkurrencën e klubeve, me Prishtinën, Peci i ka fituar disa tituj kampioni në ish-Jugosllavi dhe disa medalje në gara rajonale e ndërkombëtare. Ai ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Jugosllavisë në disa kampionate ballkanike dhe evropiane.
(r.m.)